Partizani arriti të fitonte me shifrat 3-0, sfidën e javës së 25-të, në shtëpi ndaj Teutës. Pas humbjes së Kukësit ndaj Skënderbeut, “demat” arritën të vendosnin një dorë tek titulli, pas kësaj fitoreje.

Gjithçka u vendos shumë shpejt dhe me lehtësi për ekipin e Gegës, që në pjesën e parë. Ishte mesfushori Bruno Telushi, që me një të djathtë të fuqishme nga goditja e dënimit, zhbllokoi shifrat që në minutën e katërt.

Më pas loja u duk e qetë, deri në minutën e 32-të, kur Asani përfitoi nga një top i kthyer gabim nga Avdyli, dhe me një vrapim të shpejtë, arriti të futej në zonë, ku Kallaku i shkaktoi penallti. Nga 11 metra largësi, nuk gaboi Ardit Hila, i rikthyer në këtë sfidë.

Ekipi i Gegës humbi në pjesën e dytë Telushin, për një dëmtim, por gjithsesi, arriti të menaxhonte fitoren. Në minutën e 90, golin e gjeti edhe Ardit Hila, teksa Teuta ishte hedhur në sulm. Nga ana tjetër, ekipi i Shkëmbit u duk i pafuqishëm për të reaguar, dhe nuk mundi të bënte asgjë për të marrë të paktën një barazim.

Me këtë fitore, Partizani shkon në kuotën e 53 pikëve, në vendin e parë, plot 9 më shumë se Kukësi, dhe tashmë shpresat për t’u shpallur kampion rriten akoma më shumë. Teuta mbetet në vendin e tretë, me 40 pikë.

Partizani-Teuta 3-0

GOL: Telushi 4′, Hila pen. 32′, Çinari 90′ /