Pavarësisht se nuk është lejuar nga mjekët të ngjitet në ring për të konkurruar në gjysmëfinale, boksierja shkodrane Elsidita Selaj sot është ngjitur në podium për të marrë medaljen e bronztë të peshës 75 kg në Kampionatin Europian U22 që po zhvillohet në Rusi.

Një emocion i madh për të dhe për trajnerin Jetmir Kuçi sepse puna dhe djersa e derdhur në stërvitje, shpërblehen me një tjetër medalje europiane dhe padyshim që kjo duhet t’i bëjë krenarë ato të dy.

Ceremonia e ndarjes së medaljeve është zhvilluar pasditen e sotme dhe për Selajn ka shkuar medalja e bronztë. Ajo është e dyta në karrierën e saj, pas medaljes së argjendtë që fitoi një vit më parë në Europianin e 18 vjeçarëve.

Kaq medalje në fakt nuk ka fituar asnjë boksier tjetër në historinë e boksit shqiptar dhe për këtë arsye, kjo sportiste padiskutim që duhet mbështetur sepse ka një të ardhme shumë të mirë përpara.

Medalja e bronztë e marrë në Europianin e Rusisë, kuptohet që është një arritje dhe duhet mbështetur dhe njëkohësisht edhe shpërblyer. Nese nuk do kishte probleme shendetesore, nuk do te ishte çudi nese ajo do te shkonte edhe ne finale te ketij evenimenti dhe pse jo per te synuar edhe medaljen e arte, megjithate edhe e bronzta qe ka marre, eshte nje sukses i madh.
© shkodrasport.com