Ndeshja e pasdites së sotme në mes Veleçikut dhe Vorës ka dhuruar një futboll të bukur dhe koplikasit kanë arritur të përmbysin gjithçka në pjesën e dytë duke shënuar dy gola dhe duke fituar me rezultatin 2-1.

Por duhet thënë se në minutat e fundit ka qenë ekipi i Vorës që ka ushtruar më tepër presion dhe nëse ai nuk ka barazuar, meritën e ka portieri koplikas Vjerdha.

Sa i takon ndeshjes gjithçka ka qenë korrekte, por fundi i saj në fakt do sillte një përplasje mes disa futbollistëve të dy ekipeve.

Gjithçka ka nisur në momentin kur futbollisti me numër 2 i Vorës po i drejtohej dhomave të zhveshjes. Ai është sharë e ofenduar nga disa prej tifozëve të Veleçikut që ishin në tribunë, të cilët mesa duket kishin patur probleme me të që prej dy sezonesh në një incident të ndodhur në përballjen mes këtyre dy ekipeve në Vorë.

Sharjeve të tifozëve të Veleçikut, lojtari i Vorës i është përgjigjur duke bërë një gjest aspak të hijshëm dhe kjo i ka irrituar edhe më shumë ato. Por jo vetëm tifozët.

Në këtë mes janë përfshirë edhe disa prej futbollistëve të Veleçikut të cilët në hyrje të dhomave të zhveshjes nuk kanë hezituar të përplasen edhe fizikisht me lojtarin e Vorës por kanë ndërhyrë shpejt uniformat e rendit dhe pjestarët e të dy ekipeve dhe gjithçka është mbyllur shpejt.

I pyetur në lidhje me këtë incident, trajneri i Veleçikut Besnik Duli është shprehur: “Ka qenë një incident i panevojshëm. Në këtë fushë që është e Vllaznisë, ne asnjëherë nuk kemi patur asnjë problem dhe gjithmonë gjërat kanë shkuar mirë. Nuk e kuptoj pse pjestarë të ekipit kundërshtarë tentojnë të provokojnë, por e përsëris, ishte një incident i panevojshëm që u mbyll shpejt”.
© shkodrasport.com