Ndonëse Spanja e kishte të vështirë të fitonte 2-1 ndaj Shqipërisë me një gol në minutën e 90 në pozicion të dyshimtë, në Gadishullin Iberik diskutohet ende pse u zgjodhën kundërshtarë si kuqezinjtë apo Islanda për miqësoret e marsit. Tifozët vendas kërkonin duele me skuadra të forta, por Luis Enrike ka theksuar në konferencën e sotme për shtyp se nuk kishte qenë ai që kishte bërë një zgjedhje të tillë.

Duke iu kthyer takimit të luajtur të shtunën, trajneri I Spanjës shpjegoi se cila kishte qenë ana pozitive e ndeshjes ndaj skuadrës së drejtuar nga Edi Reja dhe cili kishte qenë çelësi i suksesit.

“Kam parë edhe një herë ndeshjen me Shqipërinë dhe nuk ishim aq keq. Në pjesën e parë, nuk ishim imponues pasi ata ishin të mbyllur mbrapa dhe ishin të freskët fizikisht. Por bëmë qarkullim të mirë topi, pastaj në pjesën e dytë ishim më të pjekur, i bëmë gjërat më mirë.

Nuk i zgjodha unë rivalët për miqësore, ishte federata. Por për ne kanë vlerë të gjithë, pasi ato skuadra si Shqipëria apo Islanda na shërbejnë për të luajtur kundër ekipeve më të mbyllura, që të krijojmë hapësira dhe të ndalim kundërsulmet. Kanë vlerë për ne edhe nëse janë më të fortë”, tha Luis Enrike para mediave.