Mauricio Poçetino është gati t’i japë lamtumirën PSG-së dhe sipas medieve angleze, e ka zyrtarizuar këtë kërkesë të tij. Sipas “Daily Mail”, klubi parisien ka marrë njoftimin zyrtar nga përfaqësuesit e trajnerit për dëshirën e tij për të mbyllur kontratën pak muaj pasi u emërua në vend të Tomas Tuhel, pasi nuk mund të vazhdojë më në këtë klub.
Argjentinasi u ul në janar në stolin e kësaj skuadre dhe ka kontratë deri në verën e vitit 2022, por dështimi në Ligën e Kampioneve e ai në kampionat, ka tronditur besimin te ai dhe kritikat e drejtuesve të klubit u bën publike.
Ndaj Poçetino, duke parë që aktualisht tregu ofron opsione të shumta, ka kërkuar që të mbyllë para kohe kontratën e tij me klubin e kryeqytetit francez.
Ai mbetet një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e Real Madrid, por njëkohësisht edhe për kthimin te Totenhem, të cilin e drejtoi për 5 vite dhe e çoi deri në finalen e Ligës së Kampioneve. Sipas të njëjtit burim, trajneri ka telefonuar Herri Kejn, duke i kërkuar këtij të fundit që të qëndrojë të paktën edhe një vit me londinezët nëse në fund Poçetino do të kthehet në skuadër /vipsport/