Pas muajve të parë të vitit, kur skema e skuadrës (3-5-2) e detyroi të qëndronte në stol, për Davide Kalabrian ka ardhur koha e revanshit.

Mbrojtësi rigjeti formacionin dhe mori shiritin, teksa rikthimi në fushë ishte mbresëlënës. Ndaj Napolit ka dhënë dy prova force kundër një prej lojtarëve më të mirë të sezonit (Kvaratskhelia) në Itali, teksa në një intervistë për “Sportmediaset” ka komentuar kualifikimin e kuqezinjve në gjysmëfinalet e Champions-it dhe ecurinë në këtë fundszoni.

Si e përjetuat suksesin në “Maradona”?

Jam shumë krenar për këtë ekip. Vrapuam për njëri-tjetrin me një frymë sakrifice. Kur performon kështu, nuk është rastësi që fiton edhe kundër skuadrave të mëdha si Napoli.

Çfarë do t’i thoshit vetes suaj fëmijë në këtë momente?

Të besosh në ëndrrat e tua, pasi nëse beson mund të arrish gjithçka. Mezi pres të luaj në gjysmëfinale. Kemi ardhur deri në këtë pikë të Championsit, e unë me shokët duam t’i luajmë të tri ndeshjet e mbetura.

Dhe nëse e ngrini trofeun…

Duhet ta ngre. Duhet menduar ashtu. Qëllimi ynë është trofeu. Është e drejtë të ëndërrojmë për të. Ka skuadra më të gatshme se ne, por është një ndeshje futbolli. Janë tri ndeshje dhe mund ta imagjinoj që mund ta ngre.

Si veprohet në këto momente?

Kënaqësia është e madhe pas asaj që bëmë kundër Napolit. Aq më tepër që për të gjithë ishim të eliminuar ende pa zbritur në fushë. Treguam forcën dhe vlerat tona kundër ekipit që ka tetë muaj që dominon kampionatin italian. Nuk është rastësi ky sukses, por nuk jemi të ngopur.

Rrezikoni që duke u fokusuar në Europë të humbisni një vend mes katër të parave në kampionat?

E dimë që për të luajtur Champions-in duhet arritur një pozicion i caktuar në kampionat. Nuk do të lëshojmë asgjë.