Sarri ka bërë një punë të shkëlqyer te Napoli këtë sezon dhe është drejt rrugës për të fituar trofeun e Serie A, pasi qëndron një pikë më shumëse Juventus-i në tabelë.

Por, fitimi i titullit kampion në Itali bën që në Europë të rriten kreditet e trajnerit, i cili tashmë përflitet se do të marrë drejtimin e Chelsea në Angli, ose Real-it apo Atletico-s në Spanjë.

Por, largimi i Sarrit nga Napoli mund të sjellë një furtunë të vërtetë edhe te lojtarët, pasi shumë prej tyre janë të kërkuar nga skuadra të mëdha në Europë.

Mes tyre është edhe Elseid Hysaj, i cili është i preferuari i trajnerit.

Por, nuk dihet nëse Hysaj do të ndjekë Sarrin në një nga skuadrat e përmendura më sipër, pasi për të në Angli gjatë orëve të fundit po shtohen zërat për dy klube të mëdhenj.

Mediat angleze po flasin gjithnjë e më shumë për një kalim të mundshëm të tij te Arsenal ose Manchester United.

Të dy skuadrat duket se kanë shfaqur interes për mbrojtësin e djathtë të Shqipërisë, i cili është një nga më të vlerësuarit në rolin e tij në Serie A.

Pritet që të ketë zhvillime në ditët e ardhshme dhe pse jo në verë mund të kemi një transferim të bujshëm të mbrojtësit kuqezi. /EDS/