Karriera e mesfushorit Fatjon Andoni te skuadra e AEL Larisës është përfundimisht e mbyllur, klubi grek ka bërë të ditur se pas 3 vitesh e gjysmë, ka ndërprerë bashkëpunimin me mesfushorin shqiptar, për shkak të sjelljes së këtij të fundit.

Lajmin e ka dhënë presidenti i klubit në të cilin militon edhe Ergys Kaçe, Aleksis Kugias, i cili ka shpjeguar se ndonëse e kishte Andonin si pjesë të familjes pasi e kishte pasur edhe në ekipet e mëparshme që ka drejtuar, respektonte figurën e trajnerit ndaj po e largonte nga ekipi.

“Fatkeqësisht sot është një ditë ku unë do të pësoj një nga dhimbjet më të mëdha në udhëtimin tim të gjatë si pronar i një shoqërie futbollistike, pas largimit të një prej fëmijëve të mi, Fation Andoni, të cilin e zbulova kur isha të Panaçaiki dhe e bleva nga skuadra e Etnik Astera, duke e kthyer në një nga liderët e AEL.

Pasi refuzoi t’i kërkonte falje trajnerit dhe shokëve të skuadrës për sjelljen e tij të papranueshme në momentin e zëvendësimit që të mos merrte një karton të dytë të verdhë ndaj Ksanthit, i kemi ndërprerë kontratën me ekipin.

Vendimi im për të mbështetur trajnerin nuk është i negociueshëm dhe i uroj Fatjonit më të mirën në të ardhmen, kudo qoftë ajo”, ishin fjalët e presidentit të AEL Larisës.

Sipas media greke, për Andonin interesohen klube të tjera greke në Superligë, të cilat presin vetëm zyrtarizimin e largimit të tij nga Larisa. /vipsport/