Në Shkodër ka nisur “festa”. Axhenda e re u shkon më shumë se përshtat. Pikësëpari do ta luajnë në shtëpinë e tyre, së dyti në një fushë cilësore, së treti do të kenë tifozët në krahë (derisa në orën 18:00 gjithkush e ka mbyllur punën dhe nuk do të ketë pengesë për t’iu drejtuar stadiumit) dhe së katërti fitojnë kohë për të rikuperuar të dëmtuarit.

Janë jo pak, por tri ditë që i japin mundësi Filip Gligorovit dhe Hygor Guimaraesh që të riaftësohen.Edhe pse në seancën e djeshme mbrojtësi maqedonas dhe mesfushori brazilian nuk u përfshinë me grupin, kanë shanse që të vihen sot nën urdhrat e Mirsad Jonuz.

Ky i fundit, deri para se të merrej vendimi final, ishte totalisht konfuz. Dashur pa dashur duhet të programonte stërvitjen, duke u bazuar te ndeshja. Por pa ditur ditën, orarin dhe fushën se ku do të zhvillohej dueli i javës së 11-të, nuk mund të mendonte as fiksimin e formacionit. Nëse ekipi do të luante nesër, atëherë llogaritë e trajnerit do të bëheshin zyrtarisht me 4 mungesa.

Veç dy të dëmtuarve, të padisponueshëm janë edhe Erdenis Gurishta dhe Behar Ramadani të pezulluar prej kartonëve. Kërkesa e drejtuesve të klubit për të zhvilluar këtë përballje në stadiumin “Loro Boriçi” dhe mbi të gjitha shtyrja e saj, ka çoroditur jo pak edhe lojtarët. Ato gjatë ditës së djeshme kanë qëndruar me “veshë” nga federata, aq sa seanca e djeshme është mbyllur me pyetjen: “Ku do të luajmë me Bylisin”.

NEGOCIATAT – E enjtja ka qenë një ditë më shumë se e ngarkuar për administratorin. Suad Lici ka udhëtuar në kryeqytet, pranë zyrave të FSHF-së, për të diskutuar rreth kësaj historie.

Numri një i klubit shkodran është munduar që të bindë zyrtarët e federatës, që “Loro Boriçi” mund ta përballojë zhvillimin e këtij 90-minutëshi nëse shtyhet me pak ditë. Frika ishte te tapeti, pasi nuk duan që ta rëndojnë dhe të jetë gati për Shpresat. Në këtë impiant është programuar që më 15 nëntor të luajë Kombëtarja U-21 kundër Anglisë, për kualifikueset e Europianit.