Vllaznia do jetë sot në orën 19:00 në ‘Air Albania stadium’ për tu përballur me Tiranën. Duel që do jetë i vlefshëm për Superkupën e Shqipërisë dhe i pari zyrtar që nga java e 12-të e Superiores. Ku të gjitha ekipet e elitës së futbollit tonë dhe jo vetëm kanë qëndruar pushim për shkak të zhvillimit të Botërorit në Katar.

Tashmë çdo gjë rinis sërish dhe përveç Superkupës ku kundërshtar do jetë Tirana, kampione në fuqi e vendit, do jenë edhe ndeshjet e Superiores që do pasojnë deri në ditët e fundit të muajit dhjetor. Por për tu kthyer tek ndeshja që do luhet ditën e sotme, përballë do jenë dy ekipet që fituan trofetë në edicionin 2021-22.

Duke parë statistikat e këtij sezoni në Superiore, Vllaznia paraqitet e avantazhuar në duelet kundër bardhebluve. Kështu në ndeshjen e fazës së parë që u zhvillua në ‘ Selman Stërmasi’, kuqeblutë fituan 1-2 përballë kryeqytetasve. Ku golat e Kainas dhe Markut siguruan 3 pikë për shkodranët ndërsa rrjeta e Xhixhes për skuadrën e Shehit vlente sa për statistikë.

Një rezultat pozitiv u arrit edhe në fazën e dytë, ku sërish ndeshja u zhvillua në Tiranë për shkak të punimeve që po bëheshin në ‘Loro Boriçi’. Gjithçka u mbyll 0-0 në duelin e klasikes, por me një lojë për tu vlerësuar shumë nga ana e kuqebluve. Tashmë do jetë ndeshja e 3-të për këtë edicion në kryeqytet dhe kundërshtar sërish do jetë Tirana.

E siç thotë edhe shprehja e famshme ‘nuk ka dy pa tre’, shkodranët do tentojnë suksesin dhe sjelljen e trofeut të Superkupës në kryeqendrën e veriut. Trofe që mungon prej 21 vitesh në Shkodër dhe që të gjithë tifozët janë entuziastë për suksesin në duelin që zhvillohet sonte.
Endri ÇINARI