Megjithëse është ndër mbrojtësit më të mirë në Itali dhe jo vetëm, Elseid Hysaj nuk po kalon një moment të mirë.
Kritikat e shumta drejt tij, duket se kanë ndikuar shumë në formën e futbollistit që tashmë nuk cilësohet si i paprekshëm as në Kombëtare dhe as te Napoli.
Mbrojtësi shkodran, ishte ulur në stol në takimin që Napoli fitoi ndaj Liverpulit në Ligën e Kampionëve dhe nuk u aktivizua për asnjë minutë. Ndryshe paraqitet situata për të në kampionat, ku i ka luajtur të gjitha ndeshjet.
Me mungesën në Champions, Hysaj bëhet një nga futbollistët e radhës që ka provuar stolin nën drejtimin e Ançelotit. Kulibali është i vetmi që ende nuk ka munguar, duke luajtur 900 minuta në 10 ndeshje.
Në kohën kur trajner i Napolit ishte Sarri, Hysaj shihej si një nga më të rëndësishmit dhe vetëm dëmtimet e pezullimet e mbanin jashtë.
Edhe në Kombëtare, Hysaj provoi për herë të parë stolin duke qenë se në miqësoren me Jordaninë, Panuçi mendoi që të luante me 3 mbrojtës.
Nga koha kur Hysaj mbante shiritin e kapitenit në krah, te stoli në Kombëtare, duket se gjërat kanë ndryshuar. /VipSport/