Stadiumi “Air Albania”, pavarësisht se ka vite që është ndërtuar, vazhdon të ketë probleme me fushën.
Edhe ndryshimi i vazhdueshëm i saj, apo mbjellja me bar hibrid, nuk ka sjellë zgjidhje, pasi thuajse të gjithë skuadrat mike në këtë stadium, kritikojnë gjendjen e terrenit. E tillë ishte situata edhe pas ndeshjes mes Tiranës dhe Beshiktash, ku trajneri Gynesh dhe lojtarët u ankuan për tapetin e stadiumit kryeqytetas.
Portieri Mert Gynok, ishte ai i cili lëshoi kritikat më të rënda. “Kemi luajtur në një fushë të vështirë, e dinim që do të kishim probleme për shkak të saj. Në këtë ndeshje luajtëm siç duhej, u detyruam të luanim me topa të gjatë.
Ky është një nga terrenet më të këqij në të cilët kam luajtur deri tani në karrierë. Atmosfera në stadium ishte e këndshme por terreni ishte shumë problematik”, ishin fjalët e portierit të skuadrës turke pas përfundimit të ndeshjes ku ekipi i tij triumfoi me shifrat 2-0.