Nuk kanë fund largimet nga klubi I Erzenit, i cili në këtë sezon do të nisë gjithçka nga e para. Edhe pse shijakasit arritën në edicionin e kaluar të ndërtonin një ekip mjaft simpatik i cili me meritë ia doli të qëndronte në elitën e futbollit shqiptar, këtë verë për ta nis gjithçka nga e para.

Vala e largimeve në klub nuk ka të ndalur dhe shijakasit kanë zyrtarizuar dy lamtumirat e radhës nga ekipi. Sulmuesi Ilirid Ademi dhe mesfushori Marko Kriviçiç, janë dy emrat e radhës që largohen, të dy futbollistë që kanë mbajtur një peshë të rëndësishme në edicionin e kaluar.

“KF Erzeni njofton se kemi mbyllur bashkëpunimin me Ilirid Ademin. Klubi e falënderon për gjithçka dha me fanellën tonë dhe i uron suksese në karrierë. Ilirid Ademi ka një dedikim për ju: Falënderoj shumë klubin e Erzenit dhe tifozerinë e zjarrtë shijakase për mbështetjen”, shkruhet në njoftimin për sulmuesin që ishte titullar fiks te shijakasit, duke u kthyer në një nga emrat më të spikatur.

“KF Erzeni njofton se kemi mbyllur bashkëpunimin me Marko Kriviçiç. Klubi e falënderon për gjithçka dha me fanellën tonë dhe i uron suksese në karrierë”, ishte më pas njoftimi për sllovenin, i cili u bë një element i rëndësishëm në rreshtimin e shijakasve teksa luajti 33 ndeshje në sezonin e fundit, 27 nga të cilat si titullar.