Rikthimi te fitorja pas dy muajsh ka mbajtur gjallë shpresat e Kukësit që në fund të edicionit të marrë pjesë në Kupat e Europës, ose më konkretisht në Ligën e Konferencës, edhe pse jo çdo gjë tanimë është në dorën e tyre.

Gjithsesi, në kampin verilindor do t’ia bëjnë “hyzmetin” deri në fund duke synuar gjashtë pikët në dy sfidat e mbetura dhe më pas të shpresojnë edhe te hapat falsë të rivalëve.

Sfida e radhës e tyre është me Skënderbeun në “Kukës Arena” dhe për këtë përballje trajnerit Diego Longo do t’i rikthehet mbrojtësi Jorgo Pëllumbi, i cili mungoi ndaj Dinamos për arsye kartonësh. Tri pikët janë më shumë sesa një detyrim, sepse në të kundërt hidhet në “erë” sezoni.

Një fitore që tregoi edhe forcë karakteri ndaj Dinamos, meqenëse verilindorët arritën ta kthenin brenda një pjese disavantazhin e përkohshëm. Diçka që ka ndodhur në tri raste përgjatë këtij sezoni: fillimisht ndaj Kastriotit dhe më pas ndaj Partizanit.

MBROJTJA

Në ndeshjen e fundits hpëtimi i Kukësit erdhi pikërisht nga mbrojtja, e cila këtë sezon ka qenë shpesh në qendër të akuzave, sepse në shumë raste është etiketuar si reparti më problematik i Kukësit. Golat erdhën nga prapavija, fillimisht me Lulajn dhe më pas me Ndrecën, duke u kthyer në vendimtarë për skuadrën e tyre, jo vetëm për golat e shënuar, por edhe për sigurinë në prapavijë.

Dhe, duket se në dy ndeshjet e fundit shpresat janë pikërisht te ky repart, duke parë që skuadra ka hasur vështirësi në gjetjen e golit nga ana e sulmuesve në këto javë të fundit.

SHKURTAJ & TAFAS

Në momentin kulminant të sezonit, Kukësit i janë rikthyer dy lojtarë të rëndësishëm, të cilët munguan këto dy muaj krize për arsye dëmtimesh. Bëhet fjalë për portierin Anxhelo Tafas dhe sulmuesin Vasil Shkurtaj.

Të dy në njëfarë mënyre ishin protagonistë në rikthimin e tyre në fushë me Dinamon, me sulmuesin që dha edhe asistin e golit të dytë. Në dy sfidat e mbetura lojtarët shihen si një armë plus për verilindorët dhe Longo me shumë gjasa do ta bazojë lojën e tij te këta futbollistë, me një siguri në prapavijë dhe një sulmues që mund të nxjerrë golin në momente vendimtare.

Nëse “gardiani” e rifitoi vendin e titullarit, për Shkurtajn mbetet për t’u parë gjatë këtyre ditëve nëse mund të jetë fizikisht i gatshëm për ta nisur ndeshjen nga fillimi. Vasil Shkurtaj u konsiderua si goditja e madhe e Kukësit në merkaton e janarit. Si e tillë nisi aventura e dytë e sulmuesit te verilindorët, pasi shënoi që në prekjen e parë të topit ndaj Skënderbeut më 23 janar, ku i dha tri pikë Kukësit.

Por dëmtimi që pësoi në fillim të marsit bëri që Shkurtaj të ndalej gjatë dhe mbeti jashtë fushave për 73 ditë. Duket se 30-vjeçari e ka lënë pas të keqen, pasi në ndeshjen ndaj Dinamos ai hyri në fushë në minutën e 69-të.

Shpresohet që Shkurtaj të japë kontributin e tij në këto dy javë, që Kukësi të sigurojë një biletë për Europën.