Nga Endri ÇINARI

Vllaznia ditën e sotme do nisë përgatitjet dimërore në Ulqin. Kjo për të qenë në formën më të mirë sportive në momentin që Superliga do rikthehet. Ku kampionati do rivijojë javën tjetër me ndeshjen ndaj Kukësit. Por përveç stërvitjes së përditshme, tek kuqeblutë po mendohet edhe për merkaton.

Ku lëvizjet duket se po studiohen me kujdes dhe afrimi i lojtarëve do bëhet në pozicionet ku mendohet se i shërbehet ekipit. Prej disa ditësh diskutohet për afrimin e një qendëmbrojtësi, ku emri më i përfolur është ai i Memollës. Megjithatë tek shkodranët prej disa kohësh mungon një lojtar fantazist në mesfushë.

Nga ata që në gjuhën e futbollit quhen “10-tsha”. I fundit ndoshta që ishte pjesë e Vllaznisë në këtë rol ishte Da Silva. I cili u largua para 1 viti e gjysmë nga Shkodra. Që nga ai moment, tek Vllaznia nuk ka pasur një futbollist me cilësitë e brazilianit. Që shpesh ishte vendimtar me performancat e tij, madje edhe kur skuadra ndoshta nuk ishte në ditën më të mirë.

Drejtuesit patjetër po punojnë që të afrojnë një lojtar të një profili të tillë. Madje edhe numri 10-të tek Vllaznia për momentin është vakant. Dhe tifozët patjetër presin një lojtar të denjë që të përfaqësojë Vllazninë dhe numërin 10-të. Ku në vite tek kuqeblutë e kanë mbajtur lojtarë që kanë bërë historinë në futbollin tonë.