Kukësi dhe Vllaznia ndanë pikët në barazimin 0-0 në “Kukës Arena”. Takimi i javës së 29-të, prodhoi shumë mundësi për gol, por të dyja skuadrat e patën të vështirë të shënonin. Goce Sedloski, në ndeshjen e dytë në pankinë, ruan pozitat me vështirësi, por tashmë titullin duhet ta fshijë nga idetë.

Pas ndeshjes tekniku maqedonas do të shprehej: “E dinim që ishte një ekip shumë agresiv, dhe kemi pasyur dy mungesa të rëndësishme si Gurishta dhe Hakaj. Duke e parë ndeshjen me rastet që kundërshtari krijoi nga gabimet tona, rezultati duket i drejtë. Në dy ndeshje kemi marrë katër pikë, javës tjetër kemi një ndeshje me Tiranën, këto gabime që kemi bërë nuk duhet ti përsërisim, dhe duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës”.

Për momentin objektivi konkret i Vllaznisë është pjesëmarrja në Kupat e Europës, apo fitimi i Kupës së Shqipërisë. Ekipi shkodran renditet në vendin e katërt, në kuotën e 42 pikëve, po kaq sa ka dhe Egnatia e vendit të tretë. Goce Sedloski tregon se ç’do ndeshje tashmë është e rëndësishme për fatet e skuadrës.

“Ç’do ndeshje është e rëndësishme për ne, ashtu ishte edhe ndeshja e Kukësit. Jam vetëm 10 ditë këtu, dhe po i njoh lojtarët më mirë. Nga ndeshja në ndeshje jam i sigurtë se do të përmirësohemi”, u shpreh trajneri i klubit shkodran.