Nga prof.dr. Xhevdet Zekaj

Disa tifozë kuqezinj, të paktë në numër, e shfrynë zemërimin e tyre të humbjes në mënyrë aspak qytetare. Pas golit të Polonisë, shishe, çakmakë dhe madje një celular fluturuan mbi kokat e lojtarëve kundërshtarë. Ata po festonin fitoren e çmuar, siç do të kishte bërë kushdo në vendin e tyre. Nëse kjo merret si provokim, hajde ta diskutojmë, por nuk përbën kurrsesi justifikim për atë që ndodhi, e cila me siguri do të shoqërohet me dënime të ashpra nga FIFA.

Sipas të gjitha gjasave, falë atyre 10, 20 apo 30 tifozëve që reaguan në atë mënyrë, do të mbetet krejt stadiumi bosh në sfidën përmbyllëse me Andorrën. Të mos shkojmë larg, vetëm te precedenti me Hungarinë, ku ne përfituam dhe luajtëm jo kundër 60 mijë tifozëve vendas, por 11 lojtarëve kundërshtarë të dekurajuar. Dhe fituam. Rregullat janë të qarta dhe duhen zbatuar nga të gjithë, ndryshe më mirë mos shko në stadium, shfryj sa të duash në shtëpinë tënde, para televizorit.

Është krejt e padrejtë që për ca gjakprishur të dënohet krej tifozëria kuqezi, e mrekullueshme me koreografitë e saj, me mënyrën e mbështetjes pa kufi brenda dhe jashtë vendit. I thashë këto fjalë i shtyrë nga një “debat” virtual me një mik shkodran, ndjekës i “Xhuvani Sport”, i cili më referoi “zjarrin” e fishekzjarreve në “Johan Cruyff Arena”, para dhe gjatë ndeshjes së Champions-it, Ajax-Borussia Dortmund.

Duket si një vullkan në fakt, por gjithçka ndodh në shkallët e stadiumit. UEFA e ka pasur nën vëzhgim këtë lloj feste dhe mund të ketë gjoba. Ama, në tërë atë “festival fishekzjarresh”, nuk mund të shihje një kapsollë, një çakmak, një shashkë, një tymuese në fushë. Asnjë! Kuadrati i blertë është i shenjtë për UEFA dhe FIFA! Pastaj, aty dhe në gjithë botën e qytetëruar nuk ka kore me të q…. robtë.

Ndoshta tek-tuk ka shenja racizmi, por kjo është një betejë tjetër, që futbolli duhet ta fitojë. Në vendin tonë, jo në Shkodër, por kudo sharjet kolektive mes tifozërive, madje edhe mes qyteteve vazhdojnë para, gjatë dhe pas ndeshjeve. Vetëm sharje të turpshme ndaj kundërshtarëve e gjyqtarëve konstaton në stadiumet tona. Pra, nuk ka lidhje kjo festë në Amsterdam me fyerjet e trimave shqiptarë, që hedhin çfarë kanë me vete drejt fushës së lojës.

Kjo nuk është trimëri, as tifozllëk, në fakt, por njollosje e mazhorancës së padiskutueshme të njerëzve që shkojnë në stadium për të shijuar lojën magjike të skuadrave të zemrës. I thashë mikut tim shkodran se fansat e Vlaznisë nuk kanë lidhje me dhunën në fushat e blerta, se ata dinë të duartrokasin edhe kundërshtarin kur luan bukur dhe fiton me meritë në “Loro Boriçi”, si askund tjetër.

Kjo është kultura, edhe futbollistike, e kryeqendrës së veriut. Duhet marrë shembull edhe nga ata ultras të paktë, që bënë ato veprime ndaj Polonisë. E meqë jemi te shkodranët, urime të gjithëve për fitoren ndaj Dinamos dhe paraqitjen mbresëlënëse këto javë kampionati. Tashmë po, po kthehet Vllaznia e vërtetë, që nderon jo vetëm Shkodrën, por krejt shqiptarinë. Vështirë të gjesh një ekip në Shqipëri pa një shkodran brenda, sepse atje është jo vetëm vendlindja e futbollit në vendin tonë, por edhe fidanishthja e pashtershme e talenteve të këtij sporti.