Nga prof. Dr. Xhevdet ZEKAJ
Java e 25-të “dërgoi ujë në mullirin” e Vllaznisë. Sikurse duket, kreu ia dridh leqet e këmbëve kujtdo që e sheh veten aty. Kush mendon ndryshe, të pyesë Lacin, që pas disa rezultatesh pozitive radhazi, gati për rekord, u rrëzua në sfidën e parë si kryesues. Kjo dëshmon se shtimi i presionit dhe ngjeshja e ndeshjeve e bën kampionatin më të paparashikueshëm se kurrë. E pamundur të qëllosh në shenjë rezultatet e ndeshjeve, sidomos në kushtet e stadiumeve bosh, ku nuk luan më asnjë rol faktori-fushë.
Surprizë mund të konsiderohet jo vetëm humbja e kurbinasve në shtëpi, edhe pse ndaj kampionëve të Tiranës, por edhe triumfi i Skënderbeut në Fier, deri diku edhe suksesi “in extremis” i Vllaznisë. Kuqeblutë duket se dolën nga tuneli ku ishin futur. Në mesjavë siguruan gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, me fitoren minimale ndaj Korabit, gjë që e bënë edhe sot ndaj Kastriotit. Dy prova të shpejta radhazi, që dëshmojnë shkundjen e skuadrës së Brdaric.
Shkarkimi, qoftë edhe mediatik, pa u zyrtarizuar, duket se i bëri mirë atij dhe të tijve. Kthimi i Markut dhe Isaevskit do të vlejë për mirë, sepse janë dy pika nevralgjike te skuadra shkodrane. Kreu i përket sërish Vllaznisë, por tashmë ngjeshja është e frikshme. Katër skuadra i ndajnë nga një pikë: Vllaznia, Laci, Teuta dhe Partizani. Pra, gjithcka mund të ndodhë në javën e radhës të Superiores, përmbysjet janë krejt të mundshme.
Teuta dhe Partizani duket se shpenzuan shumë në mesjavë, në cerekfinalet e Kupës, ndaj sot nuk shkuan më larg se barazimi në përplasjen direkte. Dukej qartë se iu mungonte freskia fizike dhe mentale, triumfoi frika për të mos humbur. Ky rezultat gëzoi Vllazninë, që kishte festuar më herët edhe për disfatën e Lacit. Interesant është fakti se durrsakët janë të “mallkuar” nga barazimet, plot 13 të tillë, më shumë se gjysma e ndeshjeve totale. Edhe Partizani, me 10 barazime, nuk mbetet pas në këtë drejtim. Të tilla luhatje i kanë prekur të gjitha skuadrat, ndaj edhe situata provizore e pjesës së sipërme të klasifikimit është kaq antagoniste.
Kuptohet, më shumë ka gabuar Vllaznia në fazën e tretë të kampionatit, por ka konsumuar “dhjamin” e krijuar, 9 pikët diferencë në krye, shto këtu edhe gabimet e ndjekësve. Kjo javë duket se i bëri një “restart” kampionatit, duke krijuar thuajse ekuilibër total për kreun dhe titullin, ndërkohë që pak e nga pak, luftës për mbijetesë mund t’i bashkohet edhe Kastrioti. Apolonia, me humbjen e sotme ndaj rivalit direkt, dëshmoi se do të kthehet andej nga ka ardhur. Skënderbeu po përpiqet, edhe pse do ta ketë të vështirë, sepse nuk po fal as Bylisi. “Viktima” e radhës e mallakastriotëve, pas Vllaznisë, ishte një tjetër skuadër e investuar fort, si Kukësi.
Nëse do të ishte për nota, skuadra e Josës meriton të nglelet në klasë për këtë javë (eliminim nga Kupa dhe disfatë në Ballsh), ndërsa Vllaznia duket përgëzuar për kthesën, pikërisht atëherë kur dukej më e dorëzuar dhe e pashpresë. Një “bravo” edhe për Tiranën, që doli me tri pikë të cmuara nga një fushë e vështirë si ajo e kurbinasve, ku “la kockat” në mesjavë Partizani, në Kupë, si shumë pretendentë të tjerë. Hap i madh i bardhebluve për zonën europiane, edhe pse i kërkohet vazhdimësi në pjesën e mbetur të kampionatit.