Fjalën e kam për një turmë injorantësh e “patriotësh” të rremë, që kanë shpërthyer keq dhe u janë turrur djelmoshave të Kosovës, e veçanërisht kapitenit Vedat Muriqi, pas humbjes 1-0 të së enjtes, më 31 mars 2026, ndaj Kombëtarja e Turqisë në Prishtinë, në një ndeshje të vlefshme për një biletë në Kampionatin Botëror.
Akuza, epitete, sharje, statuse e shkrime… komente e analiza që vetëm idiotët, më shumë se sa guximtarët, mund t’i bëjnë publike.
“E shitën ndeshjen”, “Muriqi e humbi golin sepse turqit i premtuan një vilë në Bodrum”, “askush nuk luajti për Kosovën”, “dukej sikur u vinte keq të humbte Turqia”, “Elvis Rexhbecaj Asllani nuk u impenjua fare”… e të tjera marrëzira të këtij lloji. Çmenduri që nuk i rrok dot mendja.
Dhe janë po këta që, aq shëmtuar, ngatërrojnë sportin me politikën.
Janë po këta që, rreth hotelit ku u akomodua ekipi turk, nuk pushuan së hedhuri fishekzjarrë gjatë gjithë natës.
Janë po këta që “vëllanë turk” të deridjeshëm e shndërruan brenda natës në armik.
Janë po këta që, pas ndeshjes, nxitonin të dilnin në foto me Edon Zhegrova apo Arda Güler.
Janë po këta që, për një intervistë, hodhën në tokë flamurin kombëtar të Shqipërisë.
Sot i janë turrur Vedat Muriqit, një lojtari që i ka dhënë aq shumë futbollit të vendit të tij, duke e quajtur madje tradhtar dhe fajtor për humbjen. Dhe harrojnë se, në 66 ndeshje, ai ka shënuar 32 gola—një shifër që flet vetë.
Çfarë kërkoni më shumë nga këta djem, që e duan Kosovën dhe kanë bërë kaq shumë për të? Janë ata që e kanë çuar përfaqësuesen deri këtu, sa sot e gjithë bota sportive flet gjithnjë e më shumë për Kombëtarja e Kosovës.
Çfarë prisni më tepër nga një ekip i ndërtuar nga një trajner model, që brenda pak vitesh e ngriti skuadrën në një nivel shumë të lartë, duke e çuar një hap larg një Botërori?
A mendoni vërtet se, me vetëm disa vite anëtarësim në FIFA dhe UEFA, me një histori të shkurtër si shtet dhe me një stadium modest, Kosova duhet të mundë menjëherë Anglinë, Spanjën apo Francën dhe të jetë pjesëmarrëse në çdo Europian e Botëror?
Apo mjafton të këndohen disa këngë patriotike dhe të mendojmë se bota është nën këmbët tona?
Mjaft më me marrëzira të tilla. Lërini të qetë këta djem të mrekullueshëm. Mos i sulmoni, mos i baltosni.
Ishte thjesht një ndeshje futbolli—po, shumë e rëndësishme—por një ndeshje. U tentua dhe u luftua për fitore, por nuk ia dolëm. Dhe kjo ndodh në futboll: ndonjëherë vendos fati, ndonjëherë momenti.
Do të ketë mundësi të tjera. Përpara janë kompeticione si UEFA Nations League, Kampionati Europian dhe më pas ai Botëror.
Dhe më e rëndësishmja: Kosova ka sot ndoshta gjeneratën më të mirë në historinë e saj.
Ndaj, kur nuk dini ose nuk doni të bëni mirë, të paktën mos bëni keq.


