Këto javët e para të këtij sezoni na kanë shfaqur një Vllazni me dy fytyra. Njëherë na shfaqet spektakolare e për të flitet me suprlativa, më pas zhgënjen dhe ka kritika. Fakti është se ndaj Laçit dhe Dinamos, dy skuadra që luajtën hapur, Vllaznia tregoi vlera në lojën sulmuese dhe i kënaqi të gjithë.
Ndaj Kukësit në ndeshjen e fundit ndodhi ndryshe. Ndoshta kjo vjen ngaqë trajneri preferon gjithmonë të aplikojë një lojë sulmuese. Kundërshtarët tashmë e dinë se Vllaznia ka një taktikë super-ofensive, është një skuadër që preson lart, por nuk shoh që stafi ka një plan B.
Në rastet e ndeshjeve jashtë për shembull, pse të mos luajë paksa më e tërhequr, për ta studiar kundërshtarin dhe për ta goditur pastaj. Nuk duhet aplikuar vetëm një mënyrë loje sepse kundërshtari të studion mirë dhe i merr masat për të mos e ndëshkuar. Flitet shpesh se mbrojtja është dobët.
Nuk është mbrojtja si repart dobët, por skuadra në manovrën difensive lë për të dëshiruar në momente të caktuara sepse jo të gjithë lojtarët i zbatojnë detyrat që u ngarkon stafi. Vllaznia ka hyrë në këtë kampionat me pretendime ambicioze dhe si rrjedhojë diferenca aktuale prej 5 pikësh me Tiranën e vendit të parë, bën që duhet t’i mendojë mirë gjërat dhe të eliminojë sa më shumë gabimet, për të mos iu shkëputur kreut.
Skuadra shkodrane në rradhë të parë duhet të marrë maksimumin në përballjet me skuadrat e vendeve të fundit të renditjes, por edhe kjo nuk është e lehtë sepse kemi të bëjmë me një kampionat të fortë. Fokusi i Vllaznisë duhet përqendruar tani maksimalisht tek sfida me Tiranën.
Kjo e fundit vjen më e qetë në Shkodër ndërsa presioni do të jetë tek vendasit të cilët kanë edhe mungesën e Gurishtës, që është shumë e rëndësishme për skuadrën, megjithatë duke luajtur pak më shumë më me kujdes, besoj se mund t’ia dalë ta fitojë këtë ndeshje.