Kampionati i 83-të kombëtar i futbollit sapo ka filluar dhe mendoj që do të jetë edhe më i fortë se ai i vjetshmi. Dhe të rrimë drejt dhe të flasim po drejt, është Vllaznia e Shkodrës bukuria e këtij futbolli që luhet sot në Shkodër.

Ke qejf me e pa Vllazninë t’u lujt futboll. Edhe kur fiton, edhe kur humbet. Të rrimë drejt dhe t’i heqim kapelen… Bashkimi i stafit teknik (Brdariç + Djarmati + Plori + Lekiqi) me presidentin aktual Alban Xhaferi bëri të mundur rikthimin e Vllaznisë aty ku ka vendin… Shkëlqyeshëm! Por, ka një problem.

Një pjesë e tifozërisë shkodrane dhe një pjesë e gazetarisë shkodrane i bëjnë dëm Vllaznisë, me sjelljet dhe deklaratat e tyre. Vjet, tifozeria e quajti të mbylluar titullin që pas 10-15 javëve të para të kampionatit. Dhe filloi të festonte…

Vunë tiganin në zjarr, ndërkohë që peshku ishte ende në det… Kur Vllaznia fitonte, Brdariç ishte hero. Kur ai humbte, nuk i duhej kuj… Dhe kjo histori vazhdon, vazhdon dhe vazhdon edhe sot. Vllaznia nuk mund t’I fitojë të gjitha ndeshjet. As Bajerni apo Reali, nuk i fitojnë dot të gjitha ndeshjet.

Harruat kaq shpejt se ku ishit gjatë gjithë dekadës së fundit dhe ku jeni tani??? Harroni se ku stërvitet Vllaznia sot??? Turp i botës që djepi i futbollit shqiptar stërvitet aty ku stërvitet sot… Mos flas pastaj që gazetarë apo pseudo-gazetarë i fusin presion pa lidhje fare skuadrës, sidomos përpara ndeshjeve me rivalët direkt për titull.

Me postimet e tyre në rrjetet sociale ndërsejnë tifozëritë… Pse??? Vetëm që të bëjnë interesantin dhe të tërheqin vëmendjen. Kaq… Futbolli luhet me gjunjë dhe luhet në fushë. Futbolli nuk luhet në Facebook dhe në rrjetet sociale. Lëreni Vllazninë të luajë futboll!

Dhe do të gëzoni në fund. Sepse sot Vllaznia praktikon futbollin më të bukur në Shqipëri. Me një staf shumë profesionist dhe një zotni që i ka dal për zot klubit dhe e ka rikthyer në sofrën e më të mëdhenjve.
*Ky opinion eshte ekskluzivisht per “Shkodra Sport”.