Kur flet për mundjen shkodrane, natyrshëm që emrat e sportistëve cilësorë janë të shumtë. Jo më kot, ky është një nga sportet më të suksesshëm në klubin Vllaznia. Suksese këto që kanë ardhur nga mundës të cilët kanë bërë historinë jo vetëm në Shkodër por edhe në Shqipëri.

Njëri prej tyre është pikërisht Alfred Bardeli, një emër disi i harruar këto vitet e fundit ngaqë ai jeton prej vitesh jashtë vendit. Por në fakt, karriera e tij nuk ka si të harrohet.Dhe prandaj nderimi i bere pasditen e djeshme nga Keshilli Bashkiak Shkoder duke i akorduar titullin “Mirenjohja e Bashkise”, eshte vleresimi i duhur per nje figure te tille.

Po kush është ky sportist?

Ka lindur më 3 gusht 1961 në Shkodër dhe është anëtar I ekipit të mundjes së Vllaznisë nga viti 1979 deri në janar të vitit 1991. Ka fituar katër trofe me ekipin e të rinjve, dy tituj kampion me të rinjtë dhe dy Kupa të Republikës, pikërisht në vitet 1979 dhe 1980.Po në vitin 1980 kalon me ekipin e të rriturve nën drejtimin e trajnerit Eljaz Ahmeti.

Me këtë ekip, ka arritur të fitojë edhe 7 tituj ekiporë, pikërisht në vitet 1982, 1983, 1984, 1985, 1987, 1988 dhe 1989. Në gjashtë nga këto tituj, ka qenë protagonist kryesor I ekipit duke I dhuruar vende të para në peshën e tij.Nga muaji mars 1983 është edhe fitues I Kupës së Republikës dhe anëtar I ekipit kombëtar që do merrte pjesë në Kampionatin Europian tëç zhvilluar në Turqi por nuk mori pjesë ndonëse u përgatit për një muaj e gjysëm nga kombëtarja u shpërnda për arsye shtetërore.

-Ka fituar Kupat e Republikës në vitet 1983, 1984, 1985 dhe 1991.

-Fitues I dy medaljeve të arta në Spartakiadën e pestë dhe të gjashtë Kombëtare në vitet 1984 dhe 1989.

-Fitues I tre titujve kampionë individual në vitet 1984, 1989 dhe 1990 duke patur trajner Eljaz Ahmetin në vitin e parë, Isa Vejukën në suksesin e dytë dhe Gjon Lekën në të tretin.

-Në vitin 1989, Federata Shqiptare e Mundjes e ka nderuar me titullin “Mjeshtër Sporti”.

-Një karrierë kampioni, e nisur me titullin kampion me të rinjtë në vitin 1979 dhe e mbyllur me titullin kampion me të rriturit në vitin 1990 dhe trofeun e Kupës së Republikës në janar të vitit 1991.

Kjo është CV-ja e këtij sportisti i cili njihet mirë jo vetëm në Shkodër por edhe më gjerë.

Që nga data 7 mars 1991 jeton në Itali por sigurisht që karriera e tij sportive dhe sukseset nuk mund të anashkalohen lehtë. Vetë Bardeli gjen mundësinë që të komunikojë me gazetën “Shkodra Sport” për të folur në lidhje me karrierën dhe shumë gjëra të tjera.

-Alfred, kur e ke filluar sportin?

-E kam filluar në vitin 1978, kur isha vetëm 17 vjeç. Një moshë paksa e madhe megjithatë të dhënat e mia të shkëlqyera më ndihmuan që të inagrohem shpejt me shokët e ekipit dhe kështu vitet kaluan.

-Pse zgjodhët sportin e mundjes?

-Zgjodha mundjen sepse më ka pëlqyer që në moshë të vogël dhe jo më kot, në fëmijërinë time bëja gjithnjë mundje me shokë dhe duke u stërvitur me pesha. Pikërisht prej kësaj, u futa në mundje.

-Kush ishte trajneri yt i parë tek Vllaznia dhe shokët e ekipit të të rinjve?

-Trajneri im i parë ka qenë Gjon Leka, për të cilin unë ruaj ende edhe sot një respekt të veçantë si njeri dhe si trajner. Me të, kemi dalë kampionë dy vjet rresht me të rinjtë duke fituar kampionatin dhe Kupën e Republikës në vitet 1979 dhe 1980.

Këtu patjetër që dua të ndalem edhe njëherë tek trajneri Gjon Leka i cili zgjodhi talentat e rinj për këtë sport, të cilët përveçse fituan trofe me të rinjtë, u bënë gati edhe për ekipin e të rriturve në të cilin kaluam në vitin 1980. Pikërisht ky brez i talentuar sportistësh i përzgjedhur nga ky trajner, në vitin 1982 pastaj dolën kampion edhe me të rriturit, falë punës me trajnerin tjetër, të nderuarin Eljaz Ahmeti.

-Kur kaluat me të rriturit?

Në fund të vitit 1980. Ishte plotësim i një ëndërre që unë kisha patur që në moshë të vogël.

-Çfarë mban mend nga karriera juaj?

-Unë kam sadisfaksionin më të madh që si sportist kam filluar karrierën time si kampion me të rinjtë në vitin 1979 dhe e kam mbyllur kampion me të rriturit në vitin 1990 e fitues i Kupës së Republikës në janar të vitit 1991. Kuptohet që në këtë karrierë ka patur edhe shumë momente të lumtura megjithatë mua më kanë mbetur në mend momentet kur një shok i ekipi ishte në tapet në ndeshje dhe gjithë pjestarët e tjerë të tij bënin tifozllëk të madh për të duke e inkurajuar për fitore.Ky mund të ketë qenë edhe një nga sekretet e sukseseve të mundësve të Vllaznisë besoj.

-Kë do të vlerësoni si ndeshjen tuaj më të vështirë në karrierën tuaj?

-Ka patur disa por mua më ka mbetur në mendje si më e forta është ajo e zhvilluar në kampionatin individual në Peshkopi në vitin 1984 kundër kampionit dhe mjeshtrit Jashar Ibrahimi të ekipit të “17 Nëntorit”, të cilën unë e fitova dhe u shpalla kampion.

-Kush ka qenë kundërshtari juaj më i fortë?

-Gjatë karrierës time kam konkurruar në tre pesha, 82, 90 dhe 100 kg ku dhe kam zënë vende të para. Kundërshtari im ma i fortë në peshën 82 kg ka qenë kampioni Defrim Koçi i Partizanit, në peshën 90 kg kundërshtari ma i fortë ka qenë Jashar Ibrahimi i 17 Nëntorit ndërsa në peshën 100 kg kundërshtarët e mi kanë qenë Fatmir Memija i Partizanit dhe Fatmir Muça i 17 Nëntorit.

-Suksese të shumta në karrierë, si ia keni arritur?

-Falë punës së bërë në stërvitje, rregjimit sportiv që mbaja dhe natyrisht edhe falë talentit që zotëroja. Nuk ka qenë e lehtë të shpalleshe kampion. Mua më ka mbetur ende në mendje viti 1989. Në këtë vit kam pasë një përgjegjësi të madhe sepse brenda vitit do të zhvilloheshin tre aktivitete të rëndësishme: kampionati kombëtar ekipor, kampionati kombëtar individual dhe Spartakiada e 6-të Kombëtare. Të tre këto aktivitete i kurorëzova me sukses duke zënë vende të para si dhe duke marrë medaljen e artë në Spartakiadë.

-Për të gjitha këto suksese që keni arritur, keni marrë ndonjë titull?

-I vetmi titull që kam është ai “Mjeshtër Sporti” që Federata më dha në janar të vitit 1989, ndëkohë që nga Bashkia Shkodër ende nuk kam asnjë titull për gjithë suksese. Megjithatë e rëndësishme është që unë kam marrë me mijëra duartrokitje nga sportdasëshit tonë të cilët më kanë vlerësuar mua dhe gjithë ekipin e mundjes së Vllaznisë të atyre viteve që bënte ligjin në këtë sport.

Gjergj KOLA