Ironi e fatit për “perën ditë” e Superligës. Prej gati dy dekadash, bilbili i arbitrave ka qenë si llamba e Aladinit, e cila sapo dëgjonte zërin e të zotit… plotësohej dëshira edhe kur ngjasonte me një marrëzi. Tani, në kohën e pandemisë, futbolli ka një zot tjetër, të cilit sa më shumë t’i lutesh për rifillimin e kampionatit më 3 qershor, aq më shumë frikësohet nga kjo datë. Dhe zoti i futbollit, në këto momente, s’është as UEFA e as FIFA, por Ministria e Shëndetësisë, e cila kur e shikon topin me syzet me xhamin e thyer i ngjason sikur është vetë… “COVID”-i.

Na pëlqen apo s’na pëlqen, kishte nevojë futbolli që të falej edhe në një kishë tjetër. Tani le t’i mbajmë sytë dhe shpresat nga “Piperot” me bluza të bardha, edhe pse thuhet se në këtë lojë të padukshme, ashtu si vetë virusi, topin e fundit do ta gjuajë politika. Dhe në qoftë kështu, futbolli ka arsye ta shikojë me dy shim datën e 3 qershorit, pasi “Mesi” i politikës, ai që dribloi pa top edhe pandeminë, e ka blasfemuar disa herë “Ronaldon e futbollit”.

Jo vetëm ia hodhi në tokë bustin me material të skaduar, që u ngrit me rastin e Europianit, por “ngriti” një bust me ligësi, kur tha, me pak fjalë, se futbolli është fasoneria që fshihet pas topit…

Futbolli është sporti ku ka lindur driblimi më injorues, më turpërues, ai që në zhargonin popullor njihet me epitetin e moçëm “kalim prej shalësh”, tamam kur topi kalon mes këmbëve. Dhe kur në fushë dalin për lojë politika dhe futbolli, viktima që e pëson kalimin e topit mes këmbëve është gjithmonë futbolli. Aq sa, mund të thuhet se loja bëhet e tillë, sa këmbët hapen vetë, pa pasur nevojë për manovrime e trukime.

Edhe në këto momente epidemie, loja na gjeti me këmbët e hapura, të pafuqishëm për t’u përkëdhelur si në raste të tjera, me shpresën e madhe se “Piperot” e ministrisë, ata që luajnë pas krahëve në skemën e kësaj “lojë-lufte”, që t’i thonë popullit se futbolli nuk është si shumica e popullit që nuk mban maskë e dorashka kundër virusit, ngaqë ky sport ka maskën e vet, madje të kalcifikuar, për të cilën e ka marrë kaq shumë malli…