Monday, January 26, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREOpinion nga Luan Shpuza/ Futbollistët e huaj po 'mbysin' talentet e futbollit...

Opinion nga Luan Shpuza/ Futbollistët e huaj po ‘mbysin’ talentet e futbollit shqiptar

Një fenomen i ri, tashmë i përhapur jo vetëm në futbollin shqiptar, por edhe në atë ballkanas, po zhvillohet qartazi në dëm të brezit të ri vendas. I nxitur kryesisht nga interesa afatshkurtra dhe personale të drejtuesve të klubeve, ky orientim po anashkalon perspektivën reale të zhvillimit të futbollit dhe interesin afatgjatë të vetë klubeve.

Në vend që të investohet te akademitë dhe talentet shqiptare, të cilat përfaqësojnë edhe burimin më të shëndetshëm për mbushjen e arkave përmes shitjeve në të ardhmen, shumë klube janë përqendruar te futbollistë të huaj, kryesisht afrikanë, me kosto të ulët financiare dhe vlerë të përkohshme sportive. Një politikë provizore, ku nga dhjetë lojtarë të tillë, maksimumi dy arrijnë nivel profesional, ndërsa pjesa tjetër thjesht zë hapësirën që u takon të rinjve vendas.

Shembujt janë të shumtë: Bylysi, Apollonia, Flamurtari, Tirana, Partizani e të tjerë, ku niveli i lojtarëve të akademisë ka mbetur nën mesatare, jo për mungesë talenti, por për mungesë besimi dhe hapësire. Parimi duhet të jetë i qartë: një lojtar i huaj duhet të jetë të paktën dhjetë herë më i mirë se lojtari autokton i dalë nga klubi, përndryshe prania e tij nuk justifikohet.

Për interesa individuale, apo për përfitime të drejtpërdrejta nga disa menaxherë, po ulet niveli i kampionatit dhe po dëmtohet vetë futbolli shqiptar, i cili në vitet e fundit po përfaqësohet dinjitetshëm në Europë nga Shqipëria dhe Kosova. Kjo politikë e FSHF-së duhet korrigjuar që sezonin e ardhshëm: dëshira për të bërë “më mirë” nuk duhet të përfundojë duke dëmtuar klubet, edhe pse Kombëtarja momentalisht nuk ndjen pasojat.

Zgjidhja është e qartë: kufizimi i aktivizimit të lojtarëve të huaj, nga 7 aktualisht, në maksimum 3 në formacion, ashtu si në shumë vende fqinje si Mali i Zi, Serbia, Bosnja apo Kroacia. Paralelisht, duhet vëmendje maksimale ndaj akademive dhe moshave U-21, U-19 dhe U-17, aty ku ndodhet e ardhmja reale e futbollit shqiptar.

FSHF meriton vlerësim për investimet në infrastrukturë, terrene dhe bazë materiale, një risi pozitive dhe e domosdoshme. Por tani është koha që kjo bazë të shfrytëzohet për atë që ka më shumë vlerë: talentin vendas.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments