Tuesday, January 20, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREOpinion nga Namik Mehmeti/ Ilir, e dëgjove çfarë tha në fushë dhe...

Opinion nga Namik Mehmeti/ Ilir, e dëgjove çfarë tha në fushë dhe në intervistë Edi Martini?

Në ndeshjen e dytë të fazës së parë, mes Vllaznisë dhe Dinamos, takim që u mbyll me fitoren e Vllaznisë 1–0, gëzimin dhe entuziazmin e futbollistëve dhe tifozërisë shkodrane u përpoq ta shuante trajneri i Dinamos, Ilir Daja, duke u shprehur se “i treguam Vllaznisë se si luhet futbolli”.

Kjo tymnajë u pasua një ditë më vonë, kur dinamoviti Sh. Ballgjini “urdhëroi” arrestimin dhe përjashtimin e trajnerit të Vllaznisë, Edi Martini, për mënyrën e festimit të fitores.

Nga ajo zhurmë festive në “Loro Boriçi” dhe në shtypin sportiv kanë kaluar dy muaj dhe 19 janari 2026 nuk vonoi t’i jepte mundësinë trajnerit Daja të konkretizonte “leksionin” e Loro Boriçit në “Arenën Kombëtare”.

Vllaznia, që një javë më parë kishte sfiduar kampionen Egnatia, ishte optimiste se do ta bënte realitet thënien e trajnerit Martini se “nuk jemi ata të fazës së parë”; ndaj skuadra ishte e motivuar për një fitore bindëse.

45 minutat e pjesës së parë u mbyllën me Vllazninë që shkoi në pushimin 15-minutësh e qetë, pasi jo vetëm goli i kapitenit Balaj, por edhe epërsia në lojë, e lanë kundërshtarin në hije. Errësira e vërtetë kaploi Arenën dhe gjysmën e Tiranës për 40 minuta, por pa ia humbur interesin ndeshjes.

Vllaznia u rikthye ambicioze dhe shumë këmbëngulëse për ta ruajtur fitoren, pse jo edhe për ta thelluar atë, gjë që e bëri realitet me golin e Kallakut në fund të pjesës së dytë.

Vllaznia vërtet ia “fiku dritat” Dinamos dhe errësira në lojën e saj vazhdoi deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit të FIFA-s, Enea Jorgji.

Atë errësirë që rrethonte Arenën e ndriçoi gëzimi dhe entuziazmi i futbollistëve, me në krye Martinin dhe presidentin Xhaferi, si edhe tifozëria që nuk mungoi as në këtë ndeshje. Daja dhe Dinamo më në fund e kuptuan se errësirën ia kishte dyfishuar loja e Vllaznisë.

Thënie epike e trajnerit Edi Martini pas ndeshjes:
“Erdhëm për të ‘mësuar’ diçka, por nuk mësuam asgjë”, duke zhvlerësuar edhe thënien e Dajës në Shkodër se “u mësuam shkodranëve si luhet futbolli”.

Pra, Ilir, a e dëgjove mirë atë çka tha Vllaznia dhe Martini gjatë ndeshjes dhe pas ndeshjes?!

Namik Mehmeti

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments