Serie A rikthehet nesër me javën e saj të 31-të, në një moment të vështirë dhe kaotik për futbollin italian, pas eliminimit të Kombëtarja e Italisë në ndeshjen “play-off” ndaj Bosnja dhe Hercegovina, e vlefshme për një biletë në Kupa e Botës 2026.
Bëhet fjalë për një eliminim që kalon çdo kufi, pasi katër herë fituesja e Kupës së Botës do të mungojë për të tretin edicion radhazi të këtij kompeticioni, që do të zhvillohet në SHBA.
Ka kaluar tashmë një javë nga ky dështim i rëndë i futbollit italian dhe reagimet kanë qenë të forta. Jo vetëm shtypi sportiv, por e gjithë media prestigjioze italiane, drejtues të FIGC, trajnerë e specialistë të njohur, si dhe figura të politikës, senatorë, deputetë dhe personalitete të kulturës e artit, kanë shprehur hapur zemërimin e tyre ndaj presidentit Gabriele Gravina dhe stafit drejtues të ekipit kombëtar, përfshirë Gennaro Gattuso dhe Gianluigi Buffon. Gravina, Buffon dhe së fundmi edhe Gattuso kanë dhënë dorëheqjen.
Një nga reagimet më të spikatura ka qenë ai i drejtorit të “Il Fatto Quotidiano”, Marco Travaglio, i cili shprehet:
“Sa më shumë humbet Italia në futboll, aq më shumë duket se përparon. Ashtu si në politikë, kemi harruar si të marrim përgjegjësi. Katër vite më parë zbuluam se ishim më keq se Maqedonia e Veriut, këtë herë zbuluam se jemi më keq se Bosnja. Sa më shumë humbasim, aq më shumë qëndrojmë pa dhënë dorëheqje”.
Pa dyshim, dueli i së dielës mes Inter dhe Roma do të jetë në epiqendër të javës së 31-të, jo vetëm për ecurinë e Interit drejt “skudetos”, por edhe për klimën e krijuar pas dështimit të kombëtares.
Interi është vënë në shënjestër si një nga faktorët që ndikuan në këtë humbje: Alessandro Bastoni u ndëshkua me karton të kuq duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë për 48 minuta, Federico Dimarco humbi një rast të pastër për të çuar rezultatin në 2-0, ndërsa Pio Esposito gaboi një penallti, duke sjellë pasiguri në vijim.
Edhe nga ana e Romës pritet një reagim i fortë, ndërsa vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe reagimit të tifozëve në San Siro (Meazza), për të kuptuar se sa është ndjerë humbja e kombëtares dhe çfarë vlere do të marrë një fitore e mundshme e Interit.
NAMIK MEHMETI
FIRENZE


