Tomas Myler mban gjithmonë lidhje aktive me tifozët e tij, e ku herë pas here diskuton me ta në buletinin “Müller-Mail”. 33- vjeçari ka rrëfyer nuancat e ndryshme të përjetimeve në sezonin aktual te Bajerni, duke u dhënë një rëndësi të veçantë dy personazheve të “dëbuar” së fundmi, Oliver Kahn dhe Hasan Salihamixhiç.

“Plakushi” i bavarezëve (termi ‘plakush’ i referohet distancës së gjatë kohore si pjesë e kampionëve të Bundesligës, prej sezonit 2009-2010, askush si ai nga gjiri prezent) e ka cilësuar vitin e fundit me ngjyrat e rekordmenëve si më të vështirin, jo vetëm në planin profesional, por edhe atë personal:

VËSHTIRËSITË- ”Shumë ngjarje ndikuan negativisht në ekip, duke mbartur pasoja edhe në lojë e rezultate. Sado profesionist të jesh, sërish tema të ndjeshme që kanë të bëjnë me personazhet brenda punës krijojnë pasiguri”, pohonte kapiteni i Bajernit në pjesën e dytë të sezonit 2022-2023.

MARRËDHËNIA ME ISH-DREJTUESIT- ”Faleminderit është pak për punën e kryer nga Kahni dhe Salihamixhiçi në detyrat zyrtare. I njoh në shumë dimensione të ndryshme, duke nisur prej etapës kur aktivizoheshin si lojtar te Bajerni, në funksione zyrtare, e deri si individ të thjeshtë.

Kujtimet me shije pozitive kanë lënë gjurmë të thella në zemrën time kur flas për ta. Futbolli vështirë të kuptohet si biznes dhe rokadat në kohë rekord nuk njohin limite. Nuk e kam një ide të qartë se si do të evoluojë puna në Mynih pa Olin dhe Hasanin. Të shohim, e ardhmja rezervon surpriza nga më të ndryshmet”, përfundoi Tomas Myler.

Vetë personazhi në fjalë u lidh me zhvendosjen larg Mynihut, pas sjelljeve “egoiste” të Tuhelit, shkak me lënien në stol të beniaminit në radhët e tifozërisë bavareze.