Tre ditë më parë zyrtarizoi largimin e tij nga Bylis dhe shumëkush në Shkodër ka shprehur dëshirën që Mevlan Adili të riveshë fanellën e Vllaznisë, por duket se kjo nuk ka për të ndodhur. Kështu, burime të “Shkodra Sport” pranë mbrojtësit shqiptaro-maqedonas kanë mësuar se Vllaznia nuk ka pasur asnjë kontakt me ish-futbollistin e Bylisit së fundmi.

Në fakt, sipas burimeve të “Shkodra Sport” pranë Adilit, as nuk ka pasur diskutime me mbrojtësin shqiptaro-maqedonas dhe as nuk është arritur asnjë marrëveshje. Kjo nuk nënkupton se ndoshta shkodranët nga ana e tyre nuk e kanë në radar Adilin, por për momentin nuk ka pasur asnjë bisedim dhe asnjë ofertë.

Megjithatë, drejtuesit e Vllaznisë nëse i duan shërbimet e tij, duhet të shpejtojnë dhe ta kontaktojnë, pasi Shkëndija e Tetovës po pret pas dere për të. Për rrjedhojë, mbrojtësi shqiptaro-maqedonas do të ulet të bisedojë javën e ardhshme me drejtuesit e ekipit të Shkëndijës së Tetovës.

Kështu, Adili mund të rikthehet të luajë sërish në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, duhet parë se si do të shkojnë bisedimet javën e ardhshme me Shkëndijën e Tetovës. Në fakt, Mevlan Adili ka treguar vlera në futbollin shqiptar në dy vite e gjysëm që ka qenë pjesë e Vllaznisë, por edhe në këto gjashtë muajt e fundit që luajti me Bylisin.
Maringlen ZHIVANI