Misioni u krye. Shqipëria ka bërë një arritje historike dhe ia ka dalë me meritë ta mbyllë e para në grup. Por dy ndeshjet e fundit na treguan edhe një herë se ka ende shumë punë për të bërë për të ardhmen, si në aspektin e lojës në tërësi, por ashtu edhe në momente të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndryshimin e ritmit të lojës dhe me ndryshimin e lojtarëve që aktivizohen.

E them këtë, sepse pavarësisht një arritjeje të tillë, plotësisht të merituar, ku ekipi ka treguar vlera, kemi parë Kombëtaren tonë shumë të kufizuar me dy rivalë që teorikisht janë më të dobët se ne: Moldavia dhe Ishujt Faroe. Stafi teknik me në krye Silvinjon ka punuar me seriozitet dhe me përgjegjësi, por në rrugëtimit e mëtejshëm në finalet e Europianit, duhet punuar krejt ndryshe. Ai është një aktivitet që luhet i gjithi brenda një muaji, ndeshjet janë çdo 2-3 ditë dhe kundërshtarët do të jenë të mirëpërgatitur.

Pra edicioni kërkon një transformim në pikëpamje të qëndrueshmërisë morale dhe psikologjike, të një vendosjeje taktike në fushë me lojtarët më të mirë të momentit dhe të shfrytëzohen aftësitë individuale të lojtarëve tanë që i kanë vërtetë të mira.

PSE HASËM PROBLEME – Realisht do të doja që të mos ndaleshim gjatë te mendimet kritike, por meqë jemi në rrafshin e profesionalizmit dhe ne duhet të flasim tani për të ardhmen, mendoj se vështirësia e parë do të jetë fakti që nuk do të ketë më mendim shpërfillës nga kundërshtarët. Aty do të na vlerësojnë maksimalisht, por kini parasysh që edhe cilësia e rivalëve është më e mirë…

Çdo trajner dhe ekip rival do të ketë vlerësim maksimal dhe njohje deri në detaje për lojën dhe cilësitë individuale të lojtarëve tanë. Dhe kjo është jo vetëm logjike, por normë në futbollin profesionist të rangut të lartë. Detyrimisht kjo duhet të na çojë në një rritje përgjegjësie. Në një kompeticion si Europiani nuk mund të lejohen gabime në lojë dhe në ndërtimin e formacionit. Dje i pashë disa zgjedhje të nxituara në formacion.

Pse? Sepse ne ende nuk kemi një lojë të bazuar në një mënyrë taktike të vendosjes në fushë dhe të veprimeve. Jemi të zotë të mbrojmë dhe të godasim, por e kemi të vështirë kur duam të fitojmë kur e kemi “detyrim” fitoren. Sepse është më e lehtë të ndërtosh një ekip që mbron mirë sesa një që sulmon mirë. Prandaj edhe kapërcime të tilla me kaq shumë ndryshime në formacion detyrimisht çojnë në një mosfunksionim të mirë të reparteve dhe të lojës. E kuptoj që pas kualifikimit kishte një lehtësim në kufijtë e neglizhencës për këtë ndeshje dhe kjo deri diku është e kuptueshme. Mirëpo ja që ndikon.

SINJALET E PARA – Sinjalet e para u dhanë që në ndeshjen kundër Moldavisë kur Asani u mbulua mjaft mirë nga dy mbrojtës gjithë kohën. Kur ishte i lirë atij i bëhej mbulim personal, por sapo merrte topin ai mbulohej në mënyrë të dubluar. Në syrin tim veprimi i Asanit ishte i duhuri, sepse ai të paktën tërhiqte dy mbrojtës, por ne nuk dinim që të përfitonim nga kjo. Pra, që të dilte një lojtar tjetër i lirë.

Por vura re edhe një problem tjetër, kur Asani u zëvendësua, trajneri moldav menjëherë e kuptoi që një lojtar më tepër në mbrojtje nuk kishte ç’e donte më dhe bëri pikërisht ndërrimin e një mbrojtësi me një mesfushor sulmues që krijoi gjithë ato vështirësi në mbrojtjen tonë për 35 minuta. Dhe tani vijmë te problemi i dytë shqetësues sipas meje: loja në ajër. Për mendimin tim loja e ajrit lë shumë për të dëshiruar. Ishin kundërshtarët që dilnin fitues si me Moldavinë, ashtu edhe me Ishujt Faore. Kjo nuk ka të bëjë me shtatlartësinë e lojtarëve, por me mënyrën e lojës.

Lojtarët tanë dukej sikur markonin njëri-tjetrin dhe jo rivalin. Krijohej një zhvendosje e palogjikshme e lojtarëve në duelet ajrore dhe na fuste në panik. Ishujt Faroe e kuptuan më së miri këtë e tentuan disa herë duke hedhur topa në ajër duke e kuptuar që aty ishim të çorganizuar. Mendoj se Silvinjo dhe stafi i tij do të marrin masa për këtë gjë.