Pasditen e sotme kam qenë i pranishëm në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit, për të parë edhe ndeshjen miqësore në mes Vllaznisë dhe Dinamos. Në fakt, kjo ndeshje u luajt pas miqësores që ekipi të cilin unë drejtoj- Pogradeci, luajti kundër Besës, por unë qëndrova sepse kisha dëshirë të shikojë në fushë ekipin e Vllaznisë.

E kam parë shumë pak, vetëm në dy ndeshjet europiane dhe isha kurioz ta shihja nga afër, ndonëse ishte thjesht një ndeshje miqësore.Kuptohet që miqësoret kanë një specifikë ndryshe nga ato zyrtaret por ama vlejnë, sidomos për stafet për të provuar lojtarë dhe skema të ndryshme.

Sot Vllaznia në pjesë të parë luajti me skemën 4-3-3 që funksionoi në mënyrë perfekte, ndërsa në pjesën e dytë luajti me 4-2-3-1, me Vulajn pas sulmuesit kryesor.Paraqitja e skuadrës mu duk pozitive në përgjithësi, ndonëse Dinamo shfaqi më shumë dëshirë ndoshta në fushën e lojës dhe kjo për shumë arsye.

Tek Vllaznia më ra në sy loja shumë e mirë e Kainës si dhe paraqitja dinjitoze e një lojtari të ri dhe me perspektivë si Spahija i cili luajti me shumë personalitet në një rol delikat në qendër të mbrojtjes.

Kuptohet që rezultati në ndeshje të tilla nuk ka rëndësi, por unë mendoj se me këtë ekip dhe këtë paraqitje, Vllaznia duhet të jetë pretendente kryesore për titull në sezonin e ri.