Nga Tonin FRROKU
Vllaznia edhe pas 14 javësh të luajtura kryeson kampionatin kombëtar të futbollit. Në 14 javë shkodranët kanë 10 fitore, më shumë se çdo ekip tjetër, dy barazime dhe po kaq humbje. Nga java e parë e deri tek e 14-ta, Vllaznia ka mbetur në krye të renditjes duke treguar se më shumë se çdo ekip tjetër e kërkon titullin kampion.
Trajneri Thomas Brdariç sëbashku me stafin dhe drejtorin teknik Matko Djarmati kanë arritur të sjellin në skuadër lojtarë pa shumë mentalitet kampioni por të gatshëm për të dhënë maksimumin për kuqeblutë.
Së pari, trajneri dhe më pas të tjerët, që në fazën përgatitore kanë folur për një vend në Europë, por dalëngadalë kërkesa për të gjithë ka ndryshuar. Tashmë flitet vetëm për titullin kampion. 14 ndeshje të luajtura, 9 pikë diferencë nga vendi i dytë dhe i tretë ku është Partizani e Teuta, i japin të drejtë shkodranëve të mendojnë vetëm për titullin.
Titull që do vinte pas 20 vitesh në Shkodër. Një natë në Korçë (qytet ku Vllaznia ka kryer fazën përgatitore) në një bisedë me trajnerin por dhe drejtorin sportiv, guxova dhe u thashë se në Shkodër të gjithë janë në pritje të titullit kampion. Si njëri dhe tjetri më thanë se pikësëpari duhet të mendojmë për një vend në Europë e më pas për të tjerat.
Të njëjtën bisedë pothuajse pas një miqësoreje në Pogradec kam bërë edhe me donatorin Alban Xhaferi, i cili pas buzëqeshjes që e karakterizon duket se ndante të njëjtin mendim me mua. Edhe për faktin se në Shkodër futbolli është besim. Në Shkodër prej 20 vitesh Vllaznia i ka bërë të gjitha deri atje sa ka hyrë e ka dalë nga kategoria superiore.
Pas 14 javësh pyetja që vjen është: Çfarë ka ndryshuar tek kjo skuadër? Trajneri Thomas Brdariç që ditën e parë ka kërkuar të ndryshojë shumëçka tek ky ekip, mbi të gjitha mentalitetin e të luajturit. E thënë ndryshe që në Korçë ka kërkuar të ndërtojë një skuadër fituese dhe ia ka dalë.
Edhe në kushte kur ka qënë i detyruar të ndryshojë së pari mentalitetin e lojtarëve e më pas filozofinë e lojës tradicionale të një skuadre me kaq shumë histori si Vllaznia. Edhe këtu ia ka dalë më së miri. Nga ana tjetër një djalë shkodre si Alban Xhaferri ka marrë përsipër shumëçka, mbi të gjitha të sjellë besimin tek i gjithë grupi i lojtarëve.
Se tani me të gjërat janë krejt ndryshe, nga ato që kishim para deri para kësaj ardhjeje. Dhe ia ka dalë më së miri. Tani në Shkodër flitet kudo veç për titullin kampion. Thomas Brdariç nga njëra anë e Alban Xhaferri nga ana tjetër shihen në kryeqendrën e Veriut si personat që risollën Vllazninë e madhe.
Secili në Shkodër ka një dëshirë, për të parë skuadrën aty ku i ka hije. Të gjithë duan të rrinë qoftë edhe për pak me trajnerin por dhe donatorin. Vllaznia është rikthyer tashmë. Askush nuk e ndal dot. 23 gola të shënuar dhe vetëm 9 të pësuar, tregojnë se skuadra është ndërtuar për të sulmuar fort.
Vllaznia ia ka dalë edhe me lojtarë pa shumë histori. Por Thomas Brdariç më shumë se kudo tjetër që në krye të herës e ka pasur mendjen tek grupi të cilin e ka ndërtuar më së miri.
Ajo çfarë Brdaric ka bërë më së miri është se ka sjellë lojtarë që vrapojnë shumë e luajnë shpejt dhe thjeshtë. Nga ana tjetër lojtarët që ka gjetur tek Vllaznia i ka çuar në vendet e tyre natyrale ndërkohë që të ardhurit i ka vendosur aty ku bëjnë më të mirën.