Dueli i së dielës kundër Tiranës do mbyllë fazën e ndeshjeve para pushimeve të Botërorit për Vllazninë. Kuqeblutë do udhëtojnë drejt kryeqytetit për të luajtur ndeshjen më të ndjerë për çdo shkodran përballë kundërshtarit të përjetshëm. Klasikja i gjen në formën e duhur të dy skuadrat që patjetër secila kanë si ambicie triumfin në këtë duel.

Jo vetëm për 3 që janë shumë të rëndësishme në garën për titull, por edhe për të treguar dominancën ndaj njëra tjetrës. Tek shkodranët ndoshta mund të gëzohen edhe me një barazim, por patjetër si objektiv primar është fitorja në kryeqytet, kjo edhe për të ripërsëritur suksesin e fazës së parë ku ekipi i Joses fitonte 1-2 me golat e Kaines dhe Markut.

Optimizmi dhe harmonia duken në kulm në këto momente në kampin kuqeblu. Ku përveç fitoreve dhe lojës së mirë së fundmi kundër Kukësit, ekipi është plotësuar thuajse 100%. Ku mungesë e konfirmuar është vetëm Liridon Latifi ndërsa futbollistët e tjerë gëzojnë formë të mirë fizike dhe po ashtu sportive duke e treguar me performancën e javës së shkuar.

Por përveç ekipit, një pozitivitet duket edhe në ambientin e futbollit në Shkodër. Ndoshta edhe ata më skeptikët dhe më kritikuesit ndaj ekipit, kanë shpresën e një triumfi në Tiranë.

E këtë duket se do e tregojnë ditën e dielë, ku një numër i konsiderueshëm tifozësh do jenë në “Selman Stërmasi” për të përkrahur ekipin e tyre të zemrës përballë skuadrës që kryeson aktualisht kampionatin, Tiranës.
Endri ÇINARI