Tek Vllaznia vijojnë të mbeten ende në “gjumë”. Edhe pse së fundmi, drejtuesit po kërkojnë një trajner për sezonin e ardhshëm, deri më tani asgjë nuk ka lëvizur.

Ndërkohë që, heshtja vijon tek ekipi kuqeblu, në ekipet e tjera në Superiore apo edhe në Kategorinë e Parë dhe jo vetëm, kanë nisur punën, ku shumë prej tyre po synojnë të marrin edhe futbollistë të skuadrës shkodrane. Realisht, tek Vllaznia gjëja e vetme që po ndodh gjatë këtyre ditëve është lakimi i emrave të ndryshëm për pozicionin vakant për trajner.

Çdo ditë qarkullojnë emra të ndryshëm për këtë post, por akoma nuk po shihet asnjë lëvizje për këtë skuadër, me përjashtim të emërimit të Elvis Plorit si drejtor sportiv. Diçka absurde në fakt në këto momente që flasim, kur skuadrat e tjera kanë nisur punën në merkato dhe jo vetëm.

Ndërkohë, presidenti Alban Xhaferi në një dalje publike në emisionin televiziv “Skaner” pak ditë më parë, foli edhe për emërimin e trajnerit të ri, teksa tha se një gjë e tillë do të ndodhte shumë shpejt, por realisht deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje.

Në një kohë që, skuadra shkodrane është pjesëmarrëse në Conference League, drejtuesit dhe presidenti Xhaferi duhet të nisin sa më shpejt punën. Pikësëpari për të ndërtuar stafin teknik të atyre që do të marrin përsipër rikthimin e Vllaznisë tek suksesi.
Maringlen ZHIVANI