Para pak ditësh, Vllaznia U-17 ishte ekipi i rradhës nga Akademia kuqeblu që u shpall kampione e Shqipërisë për sezonin 2022-2023. Një titull mëse i merituar i këtij ekipi, që natyrisht ishte kampione e padiskutueshme e këtij sezoni.

Një sukses mëse i merituar që ka ardhur edhe falë punës së shkëlqyer të të gjithë futbollistëve dhe në veçanti i trajnerit Gilman Lika, që tregoi vlerat e tij që në vitin e parë të drejtimit të Vllaznia U-17, duke e merituar plotësisht këtë trofe. Një gjë të tillë e ka pohuar edhe drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri, në një prononcim së fundmi për “Shkodra Sport”.

Drejtori i Akademisë, duke i bërë një përmbledhje të gjithë sezonit që po lëmë pas, tha se nuk është i kënaqur me punën e disa trajnerëve te Akademia Vllaznia, por gjithsesi shtoi se ka një perspektivë të disa futbollistëve të talentuar që mund të shërbejnë në ekipin e parë.

Po ashtu, Neziri u shpreh se cilësia e kampionatit të moshave këtë sezon ka qenë dështim, ndërsa i bëri thirrje FSHF që të mos e degradojë futbollin e moshave. Më poshtë, mund të lexoni intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.


-Neziri, disa suksese këtë sezon me ekipet e Akademisë Vllaznia, i fundit me U-17, mjaft i kënaqur besoj apo jo?

Deri diku që jam i kënaqur normalisht. Futbolli matet me rezultate, por kryesore për ne është dalja e elementit të ri për ekipin e parë, ku jemi jashtëzakonisht të kënaqur që futbollistë si Alivoda dhe Smajli janë lojtarë të formacionit bazë dhe ky është një ogur i mirë për klubin që të ketë të ardhura. Më vjen mirë që janë mbi 12-13 futbollistë të Akademisë Vllaznia që janë pjesë e ekipit të parë dhe kjo na gëzon pa masë.

Sa për U-17, unë e kam theksuar që nga fillimi i kampionatit që janë një ekip me një brez jashtëzakonisht të mirë dhe jemi pretendentë edhe për fitimin e Kupës, pas fitimit të titullit kampion me 10-pikë diferencë. Tani jemi finalistë të Kupës, por fakti që më gëzon më shumë është hera e parë që kemi dalë kampion me U-21, ku të them të drejtën kam qenë shumë skeptik në fillim të kampionatit. Te U-21 kanë qenë vetëm 10-futbollistë në stërvitjen e parë, por disiplina, mundi dhe djersa e gjithë stafit teknik dhe trajnerit Plori bëri të mundur që Vllaznia U-21 për herë të parë të shpallet kampion me diferencë pikësh.


-Sa premtojnë këto futbollistë për të ardhmen?

Normalisht që, ato premtojnë, por duhet mund, sakrificë dhe punë për të bërë diçka që këto futbollistë të jenë pjesë e ekipit të parë dhe është në dorën e tyre një diçka e tillë. Ato duhet të stërviten. Të them të drejtën, unë jam shumë i befasuar me Bekim Balaj, që një futbollist 32-vjeçar që ka arritur çdo gjë në jetën e tij, bën çdo ditë stërvitje 30-minuta individuale, ku një pjesë e djemve të rinj shkojnë e zhvishen përpara tij dhe kjo ndoshta më bën të ndihem keq, sepse pa punë nuk mund të arrish asgjë.

E keqja e futbollit të të rinjve besoj sot janë menaxherët. Vetë prindërit dhe vetë futbollistët e rinj, pa u rritur mirë, kanë mendimin për t’u larguar jashtë. Vetëm këtu i dëgjojmë gjëra të tilla, jo Barcelona, jo Reali. Këto gjëra të tilla ua humbasin përqëndrimin për futbollin. Unë besoj se e keqja më e madhe e të rinjve është bashkëpunimi me gjithfarë lloj menaxherësh, jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë. Janë disa futbollistë që nuk kanë forcë për të shkuar askund dhe kontaktojnë me menaxherë që nuk kanë forcë t’i çojnë askund. Futbollistët e rinj duhet ta kenë ëndërr për të luajtur për Vllazninë, sepse në bazë të punës jam i bindur që kanë për të ardhur vetë frytet mbrapa. Prandaj, tani të shohin Bekim Balajn, një futbollist që ka fituar gjithçka. Ta shohin se si punohet dhe atëherë, gjërat tjera vijnë mbrapa.

-Neziri, te U-17 këtë sezon kanë spikatur Kubazi dhe Ara, sa shanse kanë që ata ndoshta në një të ardhme të afërt të jenë pjesë e ekipit të parë?

Në fakt, përveç Kubazit dhe Arës është edhe portieri Lekaj, që ka bërë një sezon madhështor. Ai është portier i ekipit kombëtar U-17. Po ashtu, edhe Ermal Sylja dhe shumë e shumë futbollistë të tjerë si Hajdari apo edhe të tjerë. Në fakt, janë futbollistë që kanë bërë më të mirën dhe janë futbollistë premtues. Eshtë një grup dhe jo individë që besoj se kanë për të ecur shumë në të ardhmen e tyre, po punuan kështu, me këtë përkushtim dhe disiplinë. I gjithë problem është te mosha U-19 e lart, sepse aty fillojnë atëherë këto problemet e rritjes, me menaxherët dhe me idetë e tyre për largim që më parë duan të ikin jashtë shteti se sa të luajnë për Vllazninë. Kjo i shpërqëndron totalisht, sepse është edhe mosha e tyre delikate.

-Do të ketë vëmendje nga ekipi i parë për këto ekipe që sivjet fituan trofe dhe kampionate?

Unë besoj që do të ketë një vëmendje shumë të madhe, sepse në drejtimin e Vllaznisë tani ka ardhur Elvis Plori. Një djalë që e ka pasur vetë elementin e U-21 dhe jam i bindur e me plot besim që këtë vit më shumë se asnjë vit tjetër, do kemi mundësi t’i japim një shtysë të madhe elementit të ri, që siç e theksova edhe më lart, ka ardhur koha që në klub të sjellim të ardhura, sepse kemi kohë dhe vite që vetëm shpenzojmë për futbollistë të huaj.

-Si e vlerësoni në tërësi punën e trajnerëve të Akademisë Vllaznia për këtë sezon?

Nuk jam i kënaqur me punën e disa trajnerëve, sepse unë e kam theksuar edhe në mbledhjen e parë që kemi bërë me Akademinë, që kampionati këtë vit do të jetë jashtëzakonisht i fortë, jo si vitet tjera, sepse kemi luajtur me ekipe shumë të dobëta. Kemi luajtur në një kampionat me 10-ekipe, ku jam i bindur që Vllaznia ka luajtur fair-play me të gjitha ekipet, me të gjitha moshat. Ndërkohë, ekipet e tjera kanë bërë një fazë të tretë sinqerisht për të ardhur keq, sepse realisht është turp që fëmijët të ngatërrohen me lloj- lloj gjërash në ndeshje.

Ekipe që ndahen me rezultate 8-7, 7-6, etj, etj, për të shpallur golashënuesin më të mirë dhe për t’ia hequr Kubazin një “Këpucë të Artë”. Kjo nuk ndodh askund në botë vetëm këtu në Shqipëri. I bëj thirrje FSHF mos ta prishin futbollin e moshave, por të vendosin dorë në këtë kampionat që të ketë fair-play, sepse nuk i shërbejnë askujt këto dallavere. Duhet të jemi sa më shumë duar-shtrënguar në këtë aspekt, sepse fëmijët duhet të mësohen vetëm me disiplinë dhe me rregull. Duhet ta fitojnë çdo gjë me djersë.

-E fundit për ta mbyllur Neziri, si e shikoni emërimin e Elvis Plorit si drejtor sportiv të Vllaznisë, një trajner që prodhoi sukses tek ekipi U-21, i shërben Akademisë?

Natyrisht që po. Plori ka qenë pjesë e Vllaznisë tani e që tre vite me presidentin Alban Xhaferi. Ai është pjesë e rëndësishme e këtij klubi dhe besoj që është zgjedhja e duhur, në kohën e duhur, sepse ka përvojën, ka grintën, ka gjithë atë mençuri për t’i shërbyer qytetit të Shkodrës dhe Vllaznisë. Jam shumë i kënaqur jo për Plorin, por për të gjithë miqtë e mi që i shoh në pozicione të larta që i meritojnë për të bashkëpunuar me ta në të mirë të klubit dhe emrit të Vllaznisë. Detyra ime është që të punoj që ekipet e Akademisë Vllaznia të jenë gjithmonë në vend të parë në Shqipëri dhe shpresoj që një gjë të tillë ta bëjmë realitet sezonin e ardhshëm.
Maringlen ZHIVANI