Një ndeshje e pritur me padurim është ajo mes Islandës dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikueset e Europianit. Por jo të gjithë tifozët shqiptarë do të kenë mundësinë për ta ndjekur nga televiziori këtë takim, duke marrë parasysh orarin e pazakontë.
Kjo përballje do të luhet në orën 15:00 me atë zyrtare në vendin tonë, ndërsa në Rejkjavik akrepat do të jenë në 13:00. Një vendim disi i çuditshëm i UEFA-s, duke e lënë takimin në drekë dhe jo në mbrëmje.
Duke marrë parasysh se ky është një orar zyrtar ku njerëzit në Shqipëri gjenden në punë të ndryshme, emocionet nuk do të përjetohen në të njëjtën mënyrë si më parë dhe në masë të gjerë.
Për këtë ndeshje dhe atë me Moldavinë në Elbasan, trajneri italian i kombetares shqiptare nuk ka të gatshëm Strakoshën, Gjimshitin, Mavrajn, Memushajn, Grezdën dhe Binakun.
“Filozofinë e lojës sime e kanë kuptuar, por duhet kohë, duhen ndeshje zyrtare. Në 15 ditët e deritanishme kam parë dëshirë të madhe dhe kam kuptuar elementët e çdo individi. Kjo skuadër ka treguar se di ta interpretojë filozofinë e lojës sime dhe besoj se do të marrim rezultate. Duhet të kemi besim se skema e lojës funksionon.
Do të doja që skuadra të ishte e organizuar, është një aspekt thelbësor për të pasur ekuilibër në fushë. Duhet pjesëmarrje e të gjithë lojtarëve në fushë, edhe mbrojtësit duhet të ndihmojnë në sulm. Mbi të gjitha, duhet të konkludojmë në sulm. Kur skuadra ka ekuilibër dhe është e organizuar mirë në lojë, krijon raste dhe shënon. Shpresojmë ta bëjmë këtë në Islandë.
Filozofia është gjithmonë që të hysh në fushë dhe të luash, jo të rrish të mbrohesh. Islanda është një skuadër me lojtarë shtatlartë dhe do të synojë lojën në ajër. Duhet të kemi kujdes, por edhe ajo ka pikat e saj të dobëta. Dua që skuadra ime të hyjë në fushë i bindur për të marrë rezultat.
Islanda është e organizuar, e di se çfarë kërkon në fushë, bën veprime të sinkronizuara. Kanë Sigurdson në skuadër, një lojtar shumë i mirë, me kualitet dhe i fortë fizikisht. Kanë edhe krahët që luajnë mirë. Por ne duhet të futemi në fushë që ta bëjmë ne ndeshjen dhe jo kundërshtari. Do të bëjmë gjithçka që ta vëmë Islandën në vështirësi. Janë të rrezikshëm dhe duhet të jemi të vëmendshëm.