Nisja e mirë e kampionatit nga Vllaznia i ka gëzuar të gjithë shkodranët, anë e mbanë vendit por edhe në gjithë Botën ku janë të shpërndarë. Njëri prej tyre është edhe regjisori i mirënjohur Osman Mula i cili duke folur në lidhje me ecurinë e deritanishme të skuadrës së tij të zemrës ka shprehur kënaqësinë e këtij starti.
“Më është bërë qejfi për këtë nisje të mirë të kampionatit nga Vllaznia. Në rradhë të parë për spektatorin shkodran që ka vuajtur shumë në këto vitet e fundit. E ka parë Vllazninë në atë gjendje ku nuk i kishte shkuar mendja kurrë, madje edhe duke rënë nga kategoria.
Dua t’i bëj një lidhje futbollit me zanatin tim. Mund të them me plot bindje se Vllaznia ishte “kanga” ma e bukur e natës së parë të Festivalit. Tashmë presim natën e dytë dhe pastaj finalen ku do të interpretohen këngët më të mira.
Vllaznisë duhet t’i heqim kapelen për gjithçka ka bërë deri më tani. Në këtë ecuri kanë meritë të padiskutueshme Bashkia, sponsori, ekipi, drejtorit teknik, trajnerit të mrekullueshëm. Ata kanë sjellë një frymë ndryshe në skuadër, një frymë loje që nuk e kam parë prej vitesh.
Ekipi që në sekondat e para kur zbret në fushë, shihet qartë se ka dëshirë për të luajtur për fitore, lëvizin mirë repartet, vazhdon ajo tradita alla- braziliane e futbollit shkodran. Sepse skuadra edhe humbi me Kukësin, por ajo na dha kënaqësinë e një loje të bukur.
Skuadra ka vuajtur jo pak vitet e fundit, madje 10 herë rresht duke pësuar gola edhe në minutat e fundit apo ato shtesë. Sivjet gjërat kanë ndryshuar në të gjitha drejtimet dhe kjo i ka bërë të gjithë optimistë.Për çfarë ka dhënë deri tani, Vllaznia meriton notën 10″- ka thënë regjisori i mirënjohur Osman Mula./SHKODRA-SPORT.COM/