Shumë zhurmë është krijuar kohët e fundit rreth sulmuesit shkodran Sindrit Guri por pavarësisht gjithë kësaj, ai do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës belge edhe në pjesën e dytë të kampionatit dhe më tej.
Drejtuesit e klubit dhe stafi teknik e kanë marrë vendimin e tyre duke I dhënë një tjetër shans 25 vjeçarit nga Shqipëria. Ata jo vetëm që nuk kanë tentuar ta largojnë apo ta huazojnë në ndonjë ekip tjetër, por I kanë dhënë besimin e duhur. Për këtë arsye, kanë vendosur të largojnë një tjetër sulmues nga ekipi, pikërisht Zivkoviç ndërkohë që I kanë hapur mundësinë Sindrit Gurit të vazhdojë të tregojë atë çfarë di të bëjë.
Në gjysmën e parë të kampionatit, ndoshta ai nuk ka treguar ashtu si duhet vlerat edhe ngaqë kishte vetëm pak kohë në futbollin belg dhe kuptohet që I duhet të përshtatet edhe me mënyrën e lojës dhe shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë me të.
Mungesa e golit në shumë ndeshje dhe ulja në stol, bëri që edhe trajneri I kombëtares shqiptare Kristian Panuçi të mos e ftojë Gurin në ndeshjet e fundit të vitit 2018.
Kjo gjë natyrisht që e ka mërzitur ish- sulmuesin e Vllaznisë por njëkohësisht e ka motivuar edhe më shumë për të dhënë më të mirën e tij. Dhe në fakt vitin 2019 e ka nisur mirë. Ka shënuar në miqësoret e zhvilluara nga ekipi I tij dhe po ashtu edhe në ndeshjen e Kupës. Trajneri duket se ka besim tek aftësitë e bjondit shtatëlartë dhe do ia besojë atij peshën kryesore të sulmit për gjysmën e dytë të kampionatit.