Ishte debutimi i tij i parë nga formacioni me Vllazninë ditën e shtunë kundër Kukësit dhe ai dha një paraqitje shumë pozitive. Fjala është për Ildi Gruden, i cili pas 4 vitesh të kaluara në Durrës me Teutën, vendosi të rikthehej në vendlindje. Duke vijuar kështu traditën e njohur të familjes Gruda, ku në vite kanë dhënë kontribut për kuqeblutë.
Për tu rikthyer tek 23-vjeçari, ai zhvilloi një ndeshje të një niveli shumë të mirë ndaj kuksianëve. Shpejtësia dhe shpërthimet e tij që janë arma kryesore ishin një problem më vete për kundërshtarët. Gruda solli panik tek Kukësi sa herë që vihej në zotërimin e topit, duke qenë një rrezik konstant në çdo moment.
Madje do ishte numri 7-të i cili pas një këmbënguljeje në krahun e majtë do fitonte penalltinë në minutën e 29-të të ndeshjes. Penallti që u shndërrua në gol nga Balaj. E ndoshta nuk mendohej se do ishte titullar në fillim të këtij edicioni, por performanca debutuese e këtij sezoni ishte me të vërtetë e një niveli të kënaqshëm.
Diçka e tillë u “konfirmua” edhe nga tifozët që ishin në stadium. Të cilët duartrokitën në masë në momentin kur sulmuesi i shpejtë la fushën në minutën e 86-të. Tashmë nga Gruda pritet zhbllokimi sa më i shpejtë edhe tek goli. Ku tashmë ai pritet të bëjë një dyshe interesante me Balajn në sulmin kuqeblu.
Endri ÇINARI