Sporti i mundjes në Shkodër ka qenë një ndër më elitarët në vite. Ai na ka dhuruar shumë kampionë të mëdhenj, madje nga rradhët e këtij sporti ka dalë edhe një kampion bote. Prej vitesh, sportistë e trajnerë kanë bërë përpjekje për ta ringritur sërish këtë sport në nivele të larta por fillimisht pengesë ka qenë mungesa e një palestre pasi ajo ekizstuasja s’plotësonte asnjë kusht. Palestra tashmë është ndërtuar falë kërkesës së trajnerit Dedë Bregu në adresë të dashamirësit të këtij sporti, Ndue Ftonit dhe tashmë gjërat duken gati vetëm për gjetjen e një tapeti.
Këtë gjë kërkon edhe trajneri aktual i Vllaznisë Nazmi Elezi në një prononcim për gazetën www.shkodrasport.com kur shprehet: “Ne kemi arritur që falë punës tonë dhe mbështetjes së disa miqve, ta ndërtojmë palestrën. Ajo tashmë është thuajse gati për t’u stërvitur aty dhe na mungojnë vetëm dushet por çka është më e rëndësishmja, na mungon tapeti. Kemi marrë premtimet nga Federata se do na ndihmojnë me sjelljen e një tapeti dhe Shkodra është e para në listën e qyteteve që do ta përfitojë atë prandaj po presim. Nëse do ta kishim dhe do zhvillonim stërvitje në palestrën e re, jam i bindur se rezultatet e ekipit tonë kanë për të qenë më të larta”. Por në fakt, duket se edhe tapeti i mundjes do vijë shpejt në Shkodër. Premtimi është bërë nga vetë sekretari i Federatës Shqiptare të Mundjes Ndriçim Spahiu kur ka thënë: “Vlerësimi jonë për mundjen shkodrane është i madh sepse ka dhënë shumë për këtë sport në vite. Ia kemi premtuar tapetin dhe ne do ta mbajmë premtimin tonë. Këta vetëm të stërviten dhe të na dhurojnë rezultate të larta”. Në klubin Vllaznia disa sporte po ringrihen gradualisht. Mbase ka ardhur momenti për të na dhuruar sërish kampionë të mëdhenj dhe ardhja e një tapeti mund ta bëjë këtë gjë sepse përkushtimi i trajnerëve dhe sportistëve nuk mungon.
Gjergj KOLA