Ledio Pano, ish-futbollisti i njohur i Partizanit, nuk është i kënaqur me atë që po shfaqin të kuqtë në fushën e lojës. Sipas tij, edhe pse ekipi fitoi me Bylisin, la shumë për të dëshiruar në paraqitjen e tij, ndonëse përballë kishte një kundërshtar i cili në pjesën e dytë bëri shumë pak për të kërkuar pikët.

“Në pjesën e dytë Bylisi harroi që të sulmonte se rrallëherë e kaloi gjysmën e fushës. Penalltia e 2-1 ishte e dyshimtë. Për mendimin tim, më shumë ishte e dyta që u anulua sesa e para. Megjithatë, Partizani duhet t’i kënaqet vetëm tre pikëve dhe jo lojës.

Jemi mësuar me Kolelën të bëjë ndryshime, por janë të njëjtat që bën vazhdimisht dhe po ato lojtarë. Freskia duhej, duke parë që rrezikshmëria e ekipit ballshiot ishte në minimum. Duhen ruajtur lojtarët, por rezultati 2-1 nuk jep siguri.

Duke u nisur nga ndeshjet e mëparshme, Bylisi ka rrezikuar portën e Partizanit. Mos harrojmë atë të fazës së parë që i rrezikoi në fund e mund të barazonte. Por ndryshimet që përveç Carës që u mundua të bënte diçka, të tjerët ishin inekzistent.

Si Mensah që ka kohë që nuk është në formën e tij, nuk më ka bërë përshtypje sa herë është aktivizuar. Bilali është njëlloj, në fushë apo jo. Preka është diçka tjetër se ka qenë titullar në shumë ndeshje, u aktivizua sot në fund, ndërrimet duhen parë”, tha Pano në fjalët e tij për “Oversport” pas ndeshjes.