Lajme te mira per boksin shqiptar. 16 vjeçari me origjine nga Mirdita- Adam Maca, i cili nje vit me pare u shpall kampion Europe duke perfaqesuar Angline, tashme ka zgjedhur te perfaqesoje Shqiperine ne Kampionatin e ardhshem Europian.

Lajmi konfirmohet per gazeten “Shkodra Sport” nga trajneri i kombetares U16 te Shqiperise Klaudio Çekini i cili prej kohesh ka kontakte me sportistin dhe familjen e tij, madje Adami ditet e fundit ka qene ne Shqiperi ku ka zhvilluar edhe disa ndeshje kontrolli me sportistet tane dhe do te kthehet shume shpejt per te zhvilluar serish stervitje ketu.

Kemi te bejme me nje sportist shume cilesor i cili ne tetorin e vitit te kaluar mori pjese ne Kampionatin Europian te grupmoshes U16 dhe arriti nje sukses shume te madh duke zene vendin e pare dhe duke u shpallur kampion Europe per peshen 54 kg.

Ai ka mundur ne finale boksierin nga Azerbajxhani Mahammaddali Ashiraliyev dhe kesisoj eshte kurorezuar me i miri i kontinentit ne kete peshe. Por jo vetem kaq. Ne fund te atij kampionati, u shpall edhe boksieri me i mire i tij, nje tjeter sukses i jashtezakonshem i ketij sportisti te lindur ne Angli, por me origjine nga Mirdita.

Por tashme gjerat kane ndryshuar dhe Adam Maca do te perfaqesoje Shqiperine. Nje gje te tille e konfirmon per gazeten “Shkodra Sport” trajneri Çekini kur shprehet: “Sportisti dhe familja e tij kane zgjedhur te perfaqesojne kombetaren kuqezi. Ata kane qene ditet e fundit ne Shqiperi ku dhe kemi zhvilluar disa seanca stervitore dhe ndeshje kontrolli.

Per momentin eshte ne Angli, por do te kthehet shume shpejt sepse do te nisim pergatitjet per Kampionatin Europian U16 qe sivjet do te zhvillohet ne Rumani ne datat 18 korrik- 2 gusht. Kuptohet qe me Macan do te kerkojme te mbrojme titullin kampion Europe, e po ashtu do te kerkojme suksesin edhe me boksierin shkodran Jurgen Lazri.

Ky i fundit eshte nje boksier me shume te ardhme qe eshte shpallur 3 here kampion i Shqiperise me moshat dhe 2 here eshte vleresuar si boksieri me i mire i kampionatit. Mendoj se per boksin shqiptar po rriten talente qe do te na dhurojne shume suksese”.
Gjergj KOLA