Vllaznia do ketë nesër përballë në ndeshjen e fundit të këtij viti, ekipin e Kukësit. Kuksinaët me 27 pikë në vendin e dytë të renditjes dhe kuqeblutë me 24 pikë në të tretin garantojnë për një përballje të bukur. Kjo edhe për vetë stilin sulmues të të dy skuadrave.
Por në 3 vizitat e fundit që Kukësi ka ardhur në Shkodër, Vllaznia ka marrë vetëm një triumf. Ku gjithashtu ka barazuar në një takim dhe humbur një tjetër. Ndeshja e fundit e Vllaznisë që ka fituar përballë verilindorëve në “Loro Boriçi”, përkon në sezonin 2019-20.
Do ishte java e 34-të e atij sezoni dhe më saktësisht data 19.07.2020. Shkodranët fitonin me rezultatin e ngushtë 1-0, ku vendoste një gol i mbrojtësit aktual të ekipit, Mevlan Adili. Atë sezon Vllaznia do renditej në vendin e 8-të të klasifikimit, ku i duhej ndeshja Play Off kundër Besëlidhjes të cilën e fitoi 3-1 për të siguruar qëndrimin në Superligë.
Kjo është edhe fitorja e fundit në Shkodër kundër Kukësit. Pra 1 vit e gjysmë më përpara, por që nga ajo periudhë të dy ekipet kanë ndryshuar shumë dhe nesër në fushën e lojës pritet të shkruhet një tjetër histori.
Endri ÇINARI