Java e 8 e Superiores luhet të premten dhe të shtunën me ndeshje të cilat janë interesante për të dy kahet e tabelës së klasifikimit. Dhe rezultatet e parashikuara nga “superkompjuteri”, mund ta bëjnë edhe më interesant klasifikimin.
Në parashikimet e ndeshjeve të ekspertëve të statistikave të “Football Meets Data”, ku çdo përballje simulohet 10 mijë herë në sistemin e tyre kompjuterik që merr për bazë formën dhe koeficientin e vështirësisë së secilit ekip, rezulton se e vetmja skuadër e favorizuar për të fituar jashtë fushe këtë javë është Dinamo.
Blutë dalin fitimtarë në 43% të simulimeve të ndeshjes së tyre me Vorën. Sa u përket ndeshjeve të tjera, ato flasin për skuadrat vendase, me Teutën që ka deri në 67% të simulimeve në favor të suksesit të saj ndaj Flamurtarit.
Vllaznia është favorite e dukshme përballë Tiranës, ashtu si edhe Elbasani ndaj Bylisit. Ndërkohë, të papritura janë rezultatet e simulimeve të ndeshjes Partizani-Egnatia, që shohin të kuqtë lehtësisht të favorizuar në parashikime ndaj kampionëve, me 38% përballë 36%.







