Vllaznia do të luajë nesër sfidën e javës së 6-të të kampionatit ndaj Kukësit. Ndeshja do të luhet në “Arena Egnatia” në orën 13:45, ndërsa sot në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Brdaric ishte edhe Fjoart Jonuzi. Mesfushori u shpreh I lumtur për golin e shënuar ndaj Dinamos, ndërsa mendon se edhe ndaj Kukësit mund të ketë shumë gola duke parë mënyrën si luajnë dy ekipet.
Goli? “Ne mesfushorët nuk e kemi primare golin, por e rëndësishme që edhe në të ndihmojmë ekipin me gola. Është diçka e mirë që shënojnë mesfushorët apo mbrojtësit dhe jam I lumtur që shënova e morëm 3 pikë. Jam i lumtur që që goli ishte më I bukuri I javës dhe siç e kam theksuar më parë që këtë herë “ia qellova” në shenjë pasi e kisha tentuar edhe më herët.
I lumtur me vendin e dytë? “Duke parë ndeshjet e para na vjen keq pasi kemi humbur pikë me Partizanin dhe Teutën pasi mund të kishim mundësi të merrnim 3 pikë. Jam I lumtur për mënyrën e lojës, duhet të rregullojmë disa gjëra teknike dhe stafi e di më mirë. Kampionati tani ka filluar dhe shpresoj të ecim në rrugën e duhur”.
Kukësi? “Është shumë e rëndësishme. E vlersoj Kukësin pasi është një nga ekipet që luan hapur njësoj si ne. Do të jetë një ndeshje e hapur dhe ne duhet ta vlerësojmë shumë”.
Do ketë sërish shumë gola? “Nuk e di, do parë në fushë. Duke parë mënyrën e lojës së skuadrave mendoj se mund të ketë shumë gola, por do e tregojë fusha”.
Vendi i parë? “Nuk është e rëndësishme pasi kampionati është i gjatë. Ne duhet të fokusohemi te puna jonë, t’i marrim ndeshje një e nga një dhe nëse fitojmë këto ndeshje është mirë për ne. Nuk na intereson si del ndeshja tjetër (Tirana-Partizani), por të fokusohemi te vetja jonë”, u shpreh Jonuzi.