Giovani Colella mund të konsiderohet trajneri i ri i Partizanit. Edhe pse u përfolën shumë emra të tjerë, në fakt ish tekniku i Apolonisë është përzgjedhur prej kohësh nga drejtuesit e kuq.

Dje në media u tha se Serse Cosmi ishte kandidat potencial për të marrë drejtimin e kryeqytetasve. Por siç duket këto aludime kanë qenë thjesht një “truk” për të fshehur trajnerin e ri të të kuqve.

Siç mëson Neësport.al pritet që italiani të prezantohet sot nga drejtuesit e klubit të Partizanit duke i dhënë fund në këtë mënyrë “odisesë” për “timonierin” e edicionit të ri. 56-vjeçari pati para dy sezonesh një përvojë të shkurtër në Shqipëri duke drejtuar skuadrën e Apolonisë.

Ai u largua pas 7 javës për shkak të mungesës së rezultateve pozitive. Në të shkuarën ka drejtuar disa klube në Seria C në Itali, ndërsa sot pritet të prezantohet në ambientet e klubit të Partizanit.

Colella në Shqipëri u bë i njohur me skuadrën e Apolonisë. Para dy sezonesh, fierakët ishin pjesë e elitës. Por, italiani nuk arriti të krijonte një grup kompakt teksa në Superiore arriti të grumbullonte vetëm 2 pikë në 5 ndeshjet e luajtura. Interesi është i madh për të mësuar se si do të vijojë aventura e tij e re te Partizani, klub me emër dhe traditë në Shqipëri./newsport/