Pas plot 276 ditësh larg fushës së blertë, mbrojtësi shkodran Abdurrahman Fangaj është rikthyer sot të luajë në një ndeshje zyrtare teksa ka qenë për disa minuta në fushë me Vllaznia U21 në ndeshjen e rradhës për kampionat të saj.

Hera e fundit që ai ka zbritur në fushën e lojës ka qenë 19 korriku i vitit të kaluar kur Laçi po luante në Ballsh, por Fangaj nuk ka mundur ta përfundojë dot ndeshjen. Në minutën e 39-të ai ka pësuar dëmtimin e rëndë duke u detyruar të braktiste fushën e lojës, por jo vetëm kaq.

Dëmtimi ka rezultuar më i rëndë sesa mendohej dhe për rrjedhojë iu desh t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale në gjurin e dëmtuar, pikërisht tek ligamenti kroçiat, ndërhyrje që u bë në fund të muajit korrik.

Koha e rikuperimit u mendua të ishte më e shpejtë por gjërat nuk kanë shkuar ashtu si duhet dhe për rrjedhojë, ai vetëm sot, më 21 prill 2021, ka riprekur fushën e lojës. Fangaj është aktivizuar në minutën e 83-të të ndeshjes në mes Vllaznia U21 dhe Tiranës duke hequr mallin për tapetin e blertë.

Kuptohet që ai nuk është ende në formën e tij më të mirë megjithatë nga dita në ditë po rikthehet aty ku duhet dhe shumë shpejt pritet të shndërrohet në një lojtar të rëndësishëm për Vllazninë./SHKODRA-SPORT.COM/