Mes disa çështjesh të hapura, Partizani vijoi dje pasdite stërvitjen në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e nesërme ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, një transfertë mjaft e vështirë, për faktin se përballen dy pretendentë, por edhe se në sezonet e fundit Partizani e ka pasur shumë të vështirë të dalë fitimtar nga Shkodra.

DA SILVA – Përtej kësaj, duket se në ditët e fundit ka arritur të gjejë zgjidhje edhe një çështje e nxehtë në klub gjatë javëve të fundit, ajo e Viktor da Silvës. Burime pranë klubit bëjnë me dije se dënimi për brazilianin ka përfunduar dhe ai nuk do të vijojë të stërvitet më me ekipin U21.

Mësohet se braziliani aktualisht i është nënshtruar një programi individual, pasi fizikisht nuk është në të njëjtin ritëm me pjesën tjetër të ekipit. Në ditët në vijim pritet që gradualisht ai të kthehet në stërvitje normale me shokët.

Kështu, pezullimi i Da Silvës për shkak se nuk pranoi të bënte stërvitje shkrydhëse me rezervat pas ndeshjes në Letoni ndaj Valmierës, përfundon pas plot 33 ditësh. Zbritja e tij e fundit në fushë daton pikërisht më 10 gusht. Pas saj, braziliani ka humbur të gjithë sfidat e tjera. Megjithatë, duhet thënë se rikthimi në ndeshje për Da Silvën do të zgjasë më shumë, pasi ai vijon të stërvitet i veçuar dhe të mos jetë në kushtet për të luajtur.