Jasir Asani nuk do të jetë pjesë e Partizanit sezonin e ardhshëm. Burime të SuperSportin kanë mësuar se 26-vjeçari i lindur në Shkup do të transferohet në Hungari te Kisvarda, ekip që këtë sezon e mbylli në vendin e pestë në elitën e futbollit hungarez.
Mësohet se palët kanë rënë dakord për një kontratë dyvjeçare me opsion rinovimi edhe një sezon tjetër.
Javën e ardhshme pritet që Asani të hedhë firmën në kontratë dhe t’i bashkohet zyrtarisht ekipit të ri.
Kujtojmë që gjatë sezonit të fundit me fanellën e kuqe Asani realizoi 8 gola, duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës bashkë me Çinarin.
Javën e ardhshme pritet të bëhet edhe zyrtarizimi, ndërsa te kjo skuadër, Asani do të gjejë edhe një tjetër shqiptar, Herdi Prengën.