Apolonia do të luajë në fundjavë në transfertën e Ballshit, në derbin kundër Bylisit. Fierakët do të kërkojnë të bëjnë një paraqitje dinjitoze, për të harruar disfatën e thellë që pësuan me Vllazninë.
LEVENDI – Mesfushori 19-vjeçar i fierakëve, Skerdilajd Levendi, shprehet për “Panorama Sport” se skuadra e ka për detyrë të bëjë një paraqitje ndryshe në Ballsh, për të mos e përbaltur fanellën e Apolonisë. “Nuk dua të merremi më me humbjen ndaj Vllaznisë, që ka qenë një ditë e errët për ne.
Është një rezultat që nuk pranon asnjë lloj justifikimi. E rëndësishme është se çfarë do të bëjmë më pas, do të qëndrojmë ‘të rrëzuar’ përtokë apo do të ringrihemi për të bërë një prezantim ndryshe. Në fundjavë do të luajmë një transfertë të vështirë me Bylisin.
Takime të tilla janë derbi dhe gjithmonë kanë pasur luftë të fortë sportive nga të dyja skuadrat. Ne jemi ‘të detyruar’ për të dhënë maksimumin tonë në fushë, për të bërë një paraqitje dinjitoze dhe për të kërkuar rezultat pozitiv, edhe si shenjë reflektimi për atë humbje që pësuam me Vllazninë.
Nuk duhet të dorëzohemi dhe këtë gjë nuk duhet ta bëjmë vetëm me fjalë, por ta tregojmë në fushën e lojës, për të respektuar peshën e fanellës së Apolonisë”, thotë mesfushori fierak, Skerdilajd Levendi. Apolonia nuk e njeh fitoren me Bylisin këtë sezon.
Në tri përballjet e mëparshme, bardhejeshilët kanë barazuar 2-2 në Fier, fazën e parë, kanë humbur 3-1 në Ballsh dhe 0-1 në Fier në dy fazat e tjera. Bylisi mban vendin e tetë me 26 pikë, plot 9 pikë më shumë se Apolonia e vendit të fundit.
SHPËRTHEJNË TIFOZËT – Humbja 0-6 me Vllazninë ka lënë shije të hidhur, si dhe ka shtuar zemërimin e tifozëve fierakë, të cilët nuk kanë hezituar ta shprehin edhe përmes komenteve në rrjetet sociale, në faqen zyrtare të klubit në “Facebook”. Pjesa dërrmuese e komenteve janë kundër presidencës, por nuk kanë kursyer as skuadrën.
Në faqen zyrtare të klubit në “Facebook”, pavarësisht kujdesit të etikës nga ana e administratorëve, nuk mungojnë dhe komente të tilla (siç janë shkruar në origjinal):
“Turp për Qytetin tonë sepse kemi një tifozëri të shkëlqyer që e kemi ndjekur ekipin brenda dhe jashtë qytetit, dhe dua të them se kjo nuk është Apolonia e vërtetë, por është një Apoloni e sajuar për interesat e biznesmenëve dhe… në krye të koco dhimës”. Ndërsa një tjetër komentues, me ironi të hapur, shkruan po në këtë faqe: “Bravo çunat e qytetit… Të paktën mos pranoni më të luani për fanellën e Apolonisë se e ndotni kot. Jepni dorëheqjen dhe ikni lozni me Himarën dhe Sevasterin”.
Qëndrimi më i fundit është kërkesa që tifozët e Apolonisë bëjnë për rikthimin e trajnerit Artan Mërgjyshi, i cili u largua në fillim të sezonit nga skuadra fierake, për të drejtuar Besën, ndërsa tani është pa skuadër, pas dorëheqjes nga stoli kavajas.