Elbasani preku fundin në sezonin që lamë pas teksa klubi ra në Kategorinë e Dytë. Financat janë problemi kryesor i verdhezinjve që nuk u mbështetën nga Bashkia, por edhe nga ata që pretendojnë se kanë klubin, kompania angleze Mançester Group. Këta të fundit nuk janë gjendur asnjëherë pranë ekipit, e kështu duket një histori mashtrimi.
Të gjendur para kësaj situate, Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka vendosur të krijojë ekipin e ri, Akademia e Futbollit Elbasani. Këta të fundit pritet që të kalojnë në duart e privatit, megjithatë përsa kohë të ndodhë kjo, Bashkia do të kujdeset.
Klubi i ri do ta nisë rrugëtimin nga Kategoria e Tretë në përpjekje për t’u rikthyer në elitë, edhe pse nuk do të jetë më i njëjti Elbasan.
Kujtojmë se klubi tradicional i Elbasanit do të vazhdojë të ekzistojë, megjithatë pa financa është i predispozuar të shkrihet. Kjo është një mënyrë zgjidhje ekstreme, të cilën e ka ndjekur edhe AF Luftëtari që tashmë është në Kategorinë e Dytë. /VipSport/